SPAK, rekurs në Gjykatën e Lartë për Saimir Tahirin:Të dënohet për trafik droge e grup kriminal
Prokuroria e Posaçme kërkon në Gjykatën e Lartë rikthimin e akuzave për trafik droge dhe pjesëmarrje në grupin kriminal të Habilajve për Saimir Tahirin. SPAK ka dorëzuar rekursin ku kërkon dënimin me 12 vjet heqje lirie për ish-zyrtarin e lartë. Ndërkohë edhe avokatët e Tahirit kanë paralajmëruar ankim në Gjykatën e Lartë kundër dënimit me 3 vjet e 4 muaj të cilin po e vuan ish-Ministri me pretendimin se Prokuroria nuk ka prova për akuzat që ka ngritur.
Prokuroria e Posaçme nuk tërhiqet nga akuzat e saj ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, duke kërkuar rëndimin e akuzave dhe të dënimit ndaj tij në Gjykatën e Lartë.
Ky institucion ka dorëzuar rekursin ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit, duke kërkuar dënimin me 12 vjet heqje lirie për ish-zyrtarin e lartë.
Organi i akuzës i është drejtuar Gjykatës së Lartë, me kërkesën për prishjen e vendimit të Apelit dhe lënien në fuqi të akuzave ndaj ish-Ministrit për trafik narkotikësh dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Për këto akuza, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar edhe gjatë gjykimit në Apel, shpalljen fajtor të Saimir Tahirit dhe dënimin e tij me 12 vjet heqje lirie.
Prokuroria ka akuzuar në mënyrë direkte ish-ministrin se ka favorizuar grupin e kushërinjve të tij të drejtuar nga Moisi Habilaj në aktivitetin e kultivimit dhe mbledhjes së kanabisit në Vlorë dhe trafikimin e saj në Itali.
E njëjta masë dënimi është kërkuar edhe për ish-drejtorin e policisë së Vlorës, Jaeld Çela, që sipas SPAK, ka garantuar mbrojtje dhe paprekshmëri për anëtarët e grupit Habilaj që kultivonin e trafikonin drogë gjatë kohës që Tahiri ishte Ministër i Brendshëm.
"Komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, sot më datë 14.04.2022, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u depozitua dhe u regjistrua rekursi nr. 69, datë 14.04.2022, paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndaj vendimit nr. 03, datë 04.02.2022 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me të cilin u deklaruan fajtorë të pandehurit S.T. dhe J.Ç. për veprat penale të parashikuara nga nenet 283/a/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal" konfirmoi GJKKO.
Në fillim të shkurtit të këtij viti, pas një procesi disa vjeçar, Saimir Tahiri, u dënua me 3 vjet e 4 muaj heqje lirie për akuzën shpërdorim detyre, pasi gjykata vlerësoi se me veprime dhe mosveprime, kishte lejuar kanabizimin e vendit gjatë kohës që ishte Ministër i Brendshëm.
Gjykata vlerësoi se në dosjen e prokurorisë nuk kishte prova për akuzat trafik droge dhe pjesëmarrje në grup kriminal, duke vlerësuar nivelin e provueshmërisë të mjaftueshëm vetëm për akuzën shpërdorim detyre.
Nga shkurti i këtij viti, ish-Ministri ka nisur vuajtjen e dënimit në burgun e Fierit.
Krahas prokurorisë, rekurs në Gjykatën e Lartë kanë paralajmëruar edhe avokatët që kërkojnë pafajësi me argumentin se Prokuroria nuk ka prova për akuzat që ka ngritur.
