U shkarkua nga KPK, Kolegji i Apelimit kthen në detyrë gjyqtarin e Apelit Tiranë, Fatri Islamaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka rikthyer në detyrë gjyqtarin e Apelit të Tiranës, Fatri Islamaj, duke e cilësuar të gabuar vendimin e KPA-së që e shkarkoi atë nga detyra një vit më parë.

KPA ka kryer hetime në tri kriteret e vettingut për gjyqtarin, pas ankimit të bërë prej tij duke arritur në përfundimin se ai justifikon pasurinë, është i aftë profesionalisht dhe nuk ka probleme me pastërtinë e figurës.

Për rrjedhojë, KPA vendosi konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Apelit duke rrëzuar vendimin e KPK.

Islamaj u shkarkua me shumicë votash nga KPK, pasi dy komisioneret Valbona Sanxhaktari dhe Pamela Qirko arritën në përfundimin se subjekti kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm për apartamentin e blerë nga i ati në vitin 2010 në çmimin 65 mijë euro. Sipas shumicës, babai i subjektit nuk kishte pasur burime të ligjshme për blerjen e kësaj pasurie të përdorur nga Islamaj.

Lulzim Hamitaj në pakicë e kundërshtoi këtë arsyetim me argumentin se babai i Islamajt kishte pasur burime financiare të ligjshme të mjaftueshme dhe se kërkesa e shumicës për dokumentim të shkëmbimeve financiare për qiranë brenda familjes ishte e tepruar.

Seancën e të martës në Kolegjin e Apelimit, duke iu referuar opinonionit të vëzhguesit ndërkombëtar, Islamaj kërkoi që të vlerësohen drejt marrëdhëniet familjare në raport me qiramarrjen e apartamentit të të atit.

Ai e cilësoi të pabazuar konkluzionin e shumicës së trupës KPK-së për moskonsiderimin e marrëdhënies së qirasë, ndërkohë që theksoi se kishte provuar burimet e familjes së prindërve për krijimin e pasurisë në fjalë.

Po ashtu, Islamaj këmbënguli se me provat dhe shpjegimet e dorëzuara nuk mbetej asnjë dyshim se e kishte paguar rregullisht qiranë në favor të të atit.

Ai sqaroi se marrëdhënia e qirasë ishte zgjatur në mënyrë periodike dhe për faktin se në atë periudhë kishte ardhur në jetë djali i tij i parë. Subjekti sqaroi se në atë vendbanim ishte e lehtë që prindërit të gjendeshin afër.

“Ishte dhe në favor të gjyshërve dhe nipit, që ishte fëmija i parë, për të krijuar afrimitetin”, shpjegoi Islamaj dhe shtoi se prindërit e bashkëshortes në atë periudhë jetonin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SHBA.