Shiu “shpresë” për Fierzën, dallgët 4.5 m “paralizojnë” lundrimet me Italinë e punën në porte
Reshjet e shiut që kanë pëfshirë vendin shihen si shpresë për të mbushur liqenin e Fierzës që zbriti në kuota minimale në mes të krizës botërore të energjisë. Dallgët deri 4. 5 metra ndërkohë mbajnë të pezulluar lundrimet dhe punën në porte.
Pas një mungese të gjatë çka u refektua me një krizë të prodhimit të energjisë elektrike, reshjet e shiut u rikthyen në verilindje ku shtrihet lumi Drin mbi të cilin janë ngritur tre Hidrocentralet më të mëdha në vend.
Shiu shihet si shpëtim për mungesën e prurjeve në liqenin e Fierzës, që shërben gjithashtu edhe si rregullator për basenet e Komanit e Vaut të Dejësit.
Deri me tani ndikimi nuk është i ndjeshëm, por parashikimet janë se reshjet do të vijojnë për disa ditë, çka mund të përmirësojë gjendjen në kaskadën e Drinit.
Moti i keq përfshiu të gjithë vendin prej mbrëmjes së të mërkurës.
Lundrimi dhe puna në Portet e Vlorës dhe Durrësit është pezulluar.
Tragetet e linjave e linjave mes Italisë e Shqipërisë ndodhen në porte pa mundur të nisen nga të dyja brigjet.
Peshkarexhat e mjetet e tjera po ashtu ndalohen të dalin në det.
Ndërsa 4 anije tregtare kanë mbetur në kalatat e portit Durrës pa u shkarkuar për shkak të kushteve.
Shpejtësia e erës shkon në 10-11 m/s, ndërsa forca e detit arrin deri në 8 ballë në det të hapur.
Dallgët variojnë nga 2.50 deri 4.50 metra.
Kushtet atmosferike pritet të përmirësohen vetem pas mbrëmjes së të premtes.
