Hajdutë “kasapë” në Lezhë, vjedhin bagëtitë pastaj i therin në stallat e Torovicës

Një grup hajdutësh janë duke kryer vjedhje të bagëtive në Torovicë të Lezhës. Vjedhjet po shqetësojnë banorët ndërsa ata kërkojnë ndihmën e policisë. Hajdutët nga ana tjetër para se ti vjedhin bagëtitë i therin ato në stalla.

Vjedhja e bagëtive është shqetësim kryesor për fermerët.

Një grup hajdutësh që po vepron në Torovicë të Lezhës, po përdor një metodë aspak të zakontë.

Ata i therin kafshët në stalla, siç duket për të shmangur zhurmat e bagëtive të cilat mund të zgjojnë pronarët.

Vetëm orët e fundit me këtë situatë u përballën 4 familje fermerësh.

"Kur kam shkuar, kam gjetur vendin me gjak. Dy koka të bagëtisë, njëri është 100 kg e tjetri 40 kg, të dy mi kanë marrë. I kanë prerë në qafë, i u kanë lënë vetëm zorrët."

Ata thonë se vjedhjet janë të vazhdueshme në zonë çka po ju dëmton ekonomitë familjare.

"Janë të përsëritur se kanë marrë lopë e kanë marrë dhitë, kanë marrë dhe karrocën për t’i çuar atje ku kanë dashur. Policia ka ardhur dhe nuk ka vëzhguar asnjëherë dhe është shumë e lehtë të gjenden "

"Si nuk është dëm për ne, ne me këto jetojmë. Ne të ardhura s'kemi askund , një kamp të burrit tim 120 mijë lekë kemi, nuk kemi gjë tjetër"

Policia nga ana tjetër po heton por deri më tani asnjë nga hajdutët e bagëtive nuk është në pranga.