20-vjeçe në krah të “Hijes”, vajza nga Kosova arrestohet bashkë me Nuredin Dumanin

Një 20-vjeçare nga Kosova ishte krahu i djathtë i Nuredin Dumanit, të arrestuar si autor i disa vrasjeve për shkak të përplasjes me ish-mikun e tij Talo Çela ende në arrati. Ajo u vu në pranga bashkë më një ushtar të “Hijes” siç është pagëzuar 35-vjeçari, një bashkëpunëtori dhe tre mjekëve që e mjekuan për plagët e marra në Elbasan ku besohet se shkoi për të vrarë por u kthye në objektiv.

Vajza që shihet në këtë video është Mirjetë Hajdini. Është 20-vjeçe dhe rezulton banuese në Kosovë.

Ajo ishte kthyer në krahun e djathtë të Nuredin Dumanit të shumëkërkuarit të dyshuar për 7 vrasje, bashkë me të cilin u ndalua në Fier.

U kapën në një apartament që e kishin shndërruar në një strehë pas një atentati që 35 vjeçari do të kryente në Elbasan, por ku mbeti vetë i plagosur.

Këtë të enjte policia e Elbasanit i komunikoi arrestimin me akuzat e armëmbajtjes dhe përkrahje të autorit të krimit.

Por ende mbetet e paqartë se çfarë e bëri bashkë 20 vjeçaren nga Kosova me Nuredin Dumanin që prej 2 vitesh kryente krime dhe zhdukej si “Hije” për policinë.

Bashkë me ta në pranga përfundoi edhe  një bashkëpunëtor dhe tre mjekë të Spitalit të Fierit.

Julian Malaj, Bledi Bërdalli dhe ndihmës mjeku Ermal Gjeci mjekuan 35-vjeçarin në ambientet e shtëpisë për plagët që ai mori nga përplasja me armë zjarri në Elbasan dhe më pas nuk e denoncuan ngjarjen.

Në dëshminë e parë para grupit hetimor, u mbrojtën me betimin e Hipokratit.

Thanë se nuk e dinin që po mjekonin një të shumëkërkuar të drejtësisë, por nuk mund ti mohonin kujdesin shëndetësor si qenie njerëzore.

Ndërsa në strehën e Nuredin Dumanit në Fier, mjekët thonë se i dërgoi një i njohur i përbashkët.

Prej  mbrëmjes së të martës i arrestuar është edhe Henrik Hoxha, rreth 40 vjeç.

Ky i fundit besohet se është një bashkëpunëtor i 35 vjeçarit dhe dyshohet se është njeriu që e transportoi të plagosur në Fier nga Elbasani, ku Nuredin Dumani besohet se shkoi për të vrarë por u ra vetë në pritë.

35-vjeçari banues në Durrës, prej dy vitesh ishte në krye të listës së personave më të kërkuar në vend, si i dyshuar për të paktën 7 vrasje e ngjarje të tjera të rënda kriminale të ndodhura vitet e fundit.

Disa nga këto krime, besohet se lidhen me përplasjen e tij me Talo Çelën, një tjetër shumë të kërkuar që mbetet në arrati, me të cilin kaloi nga miqësia në luftë.