Aksidentohet me vinç, 30-vjeçari humb jetën në ambjentet e firmës së babait

Elion Dervishi, 30-vjeç, humbi jetën teksa po punonte në firmën e babait të tij në lagjen "Kodër Shijak".

Sipas raportimeve të policisë 30-vjeçari u aksidentua teksa po punonte me vinç, në një firmë mermeri e cila drejtohej nga Arben Dervishi.

Elion Dervishi kishte mbaruar shkollën për mësuesi dhe pasi kishte ushtruar profesionin për disa vite, së fundmi kishte zgjedhur të punonte në biznesin familjar të mermerit.

Policia nuk ka dhënë detaje për aksidentin ndërsa burimet bëjnë me dije se i riu ishte duke punuar në vinç duke shkarkuar mermerë.

Në vendin e ngjarjes ka shkuar menjëherë policia dhe Inspektoriati i Punës për të hetuar jo vetëm shkaqet e vdekjes së 30 vjeçarit, por edhe kushtet e punës në firmën e mermerëve “Jonari Shpk” e cila zotërohej nga babai i viktimës.

Zakonisht pas aksidenteve në punë me pasojë vdekjen e punëtorëve, institucionet marrin masa ligjore kundër administratorëve të kompanive private, ndërsa pritet që në orët në vijim të mësohet nëse ndaj Arben Dervishit do të ngrihet ndonjë akuzë për vdekjen e të birit.

Aksidentet në vendin e punës në Shqipëri janë kthyer në një fenomen problematik në sektorët e ndërtimit dhe atë minerar, ku vitin e kaluar ka pasur disa të vdekur.

Këto ngjarje tragjike janë shoqëruar edhe me arrestime të teknikëve apo drejtuesve të punimeve, kryesisht për shkeljen e rregullave të sigurisë në punë.