Mjekuan Dumanin dhe nuk raportuan në polici, mjekët dhe ndihmësmjeku mbrohen me betimin e Hipokratit
Zbardhet dëshmia e dy mjekëve dhe ndihmësmjekut që mjekuan të shumëkërkuarin Nuredin Dumani dhe nuk e referuan rastin në policia.
Gjatë marrjes në Policinë e Elbasanit, mësohet se mjekët që asistuan në mjekim
kanë thënë se janë marrë në banesë nga një i njohur i përbashkët i Dumanit ndaj nuk kanë pasur dijeni për të shkuarën e tij kriminale.
Ata janë shprehur gjithashtu se për sa kohë kanë bërë betimin e Hipokratit nuk mund ti mohonin kujdesin shëndetësor si çdo qënie tjeter njerëzore.
Dy mjekët dhe ndihmësmjeku, përkatësisht Ermal Gjeci, Bledar Berdalli dhe Julian Mala u arrestuan një ditë më parë.
Ata akuzohen për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar dhe 40 vjeçari Henrik Hoxhaj e Mirjetë Hajdini 20 vjeç.
I pari akuzohet për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ndërsa e reja, banuese në Kosovë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.
Tre bluzat e bardha dhe 20-vjecarja pritet të dalin nesër para gjykatës së Elbasanin ku do tu komunikohet masa e sigurisë.
