"Turp që shtyu një plakë 70-vjeçare", nënë Liza flet për incidentin në protestë: Nuk e di ku punon, por është paguar për atë gjë
Sot e ftuar në emisionin "Ditë e Re", në Rtv Ora ishte nënë Liza simbol i protestave të banorëve te "5 Maji".
Ajo foli për prishjen e shtëpisë së saj dhe incidentin që ndodhi në protestën kundër rritjes së çmimeve dy ditë më parë.
E pyetur se ku po qëndron tani që shtëpia është prishur nënë Liza tha:
"Unë kam marrë një shtëpi me qira dhe atë e paguaj vetë. Nuk më bëhet të ha as të pi sepse nuk jam në shtëpinë time. Unë kam pas shpinë me oborr e me gjitha. Nuk kam pas nevojë për shtëpi tjetër".
Nënë Liza, dy ditë më parë teksa po fliste dhe po u bënte thirrje qytetarëve që të dalin sa më shumë në protestë, një grua iu afrua dhe i kërkoi që të largohej.
Ajo na tregoi se është një turp i madh që një grua të shtyjë një plakë në këtë moshë që jam.
"Unë fillova tu tregu për shpinë, por e dija qëllimin e protestës, pastaj do flisja për rritjen e çmimeve ndërsa ajo më tha nuk kemi ardhur për shtëpinë tënde, kemi ardhur për rritjen e çmimeve", tha nënë Liza.
"Është turp për atë që shtyn një plakë 70 vjeçe",- shtoi ajo.
Ajo tregon se kjo grua është shtyrë nga dikush për të bërë një veprim të tillë.
"Unë se di se ku punon fiks, por kjo është shtyrë, ka marrë lekë për të bërë këtë gjë".
Nënë Liza i kishte shkruajtur një letër kryeministrit Edi Rama ku i bënte thirrje që Erion Veliaj ti japë aq metra sa ka pasur më përpara tek shtëpia e saj dhe jo më pak.
Gjithashtu ajo i bën thirrje dhe Erion Veliajt që mos ti nxjerrë njerëz në rrugë për ta shtyrë.
"Unë pres të marrë një përgjigje nga bashkia, të marrë aq metra sa kam pas dhe jo një shtëpi sociale. I bëj thirrje Erion Veliajt të mos më nxjerr askënd në rrugë se nuk i kam rënë në qafë askujt, po veç për të drejtën time kam dalë. Të drejtën time nuk mund të ma presë as Erion Velia as ajo që ka nxjerr ai në protestë për të më shtyrë mua."
"Mos të kujtojnë se jam e vetme kam djem, kam nipa. Unë këtë çështje do ta ndjek me institucione ligjore", shton nënë Liza.