Kriza me energjinë elektrike, Rama paralajmëron: Familjet e pasura do paguajnë më shumë në faturë

Kryeministri i vendit, Edi Rama nga Foltorja e Kuvendit theksoi edhe një herën vendimin që qeveria ka marrë për mos rritur çmimin e energjisë për familjet shqiptare. Kryeministri tha se po bëhet një studim për të parë nëse familjet e pasura mund të paguajnë më shumë në faturën e energjisë.

Rama: Është e frikshme të mendosh nëse jemi në kushtet e asaj që ka ndodhur, faktikisht mungesë furnizimi, mungesë furnizimi me naftë, me gaz, me energji elektrike dhe me ushqime. Kjo ka ndodhur. Në këtë paketë ne i qëndrojmë edhe sot që flasim asaj që kemi vendosur të bëjmë, nuk do ta rrisim çmimin e energjisë elektrike për asnjë familje shqiptare.

Ministria e Energjisë po bën një studim për familjet e pasura, jo për të rikthyer ato fashat e tmerrshme që na çuan në katastrofë totale dhe na lanë në buzë të humnerës në 2013, por për të parë nëse mund të bëjmë një ndarje të përkohshme ku ata që kanë më shumë të paguajnë më shumë në faturën e energjisë. Në asnjë familje nuk do të ketë rritje në faturën e energjisë, ne do vazhdojmë të paguajmë diferencën.