Rrëfimi i nënë Lizës në "Ditë e Re": Erion Veliaj nuk më la të merrja rrobat që kisha blerë për vdekje

Nënë Liza, simboli i protestave të banorëve të "5 Majit" ishte e ftuar sot në emisionin "Ditë e Re" në Rtv Ora, e cila foli për prishjen e shtëpisë së saj dhe  për letrën që i kishte shkruajtur kryeministrit Edi Rama.

E pyetur nga moderatorët Arjon Muça dhe Arjola Shehu se ku qëndron tani që i është prishur shtëpia dhe nëse ka arritur të nxjerrë gjërat që ka pasur shtëpia brenda, nënë Liza tha:

"Unë kam marrë një shtëpi me qira dhe e paguaj vetë, por tek ai rafti që kam aty, nuk shoh rrobat që kam blerë për vdekje, jam shumë e prekur që nuk kam rrobat e mia që më duhen mua, pra këtë i kërkoj Erion Veliajt, këtë kërkoj prej Edi Ramës. Rrobat që i kam caktuar vetes që prej 15 vitesh, që i blemë që ti kemi aty, ne nga anët tona, nuk më kanë lënë me i marrë, dhe ato nuk munda me i marrë."

Nënë Liza tregon se nuk e kishte menduar kurrë se një ditë mund të përballej me shtetin apo bashkinë e Tiranës.

"Dhe aty janë lëshuar, si me pas qenë shtëpia ime me kriminelë, me armë, dhe nuk kishte asgjë brenda vetëm rrobat. Mua më tërhoqën zvarrë, na është bërë një terror i paparë. Se vdes e kam ditur, se përballem me bashkinë dhe shtetin se kam menduar".

Gjithashtu nënë Liza ju drejtua kryeministrit Edi Rama me nje letër të cilën ajo filloi ta lexojë vetë, por teksa po e lexonte filloi të qante.

Nëna i bëntë thirrje kryeministrit që ti hiqte qafe Erion Veliajn që të mos i bënte presion dhe që mos ti nxirrte njerëz për ta shtyrë siç bënë në ditën e protestës.

"Po të bëj një lutje publike, si nëna jote, jo si nënë Liza, mos e lej Erion Veliajn që të më bëj presion dhe të më nxjerri njerëzit të më shtyjnë siç më bëri dje, Drita Arapi nëna ë atij djalit dhe asaj vajzës që punojnë në bashkinë e Tiranës me urdhër të Erion Veliajt, pash zotin e madh, po të lutet nëna ma heq qafe Erion Veliajn, e mos të vdes rrugëve duke u shtyrë nga njerëzit e Erion Veliajt as nga policia bashkiake si me shtyu djali i kësaj dhe këtë ka për ta paguar dhe Erion Veliaj"- përfundoi nënë Liza.