GJKKO firmosi arrestin. Policia: Alqi Bllako është arrestuar prej mbrëmë, u vetëdorëzua

LAJMI U PËRDITËSUA/

Ora 7:28/1 prill 2022- Ish-deputeti Alqi Bllako është arrestuar dhe ndodhet në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë që prej mbrëmjes së djeshme, 31 mars.

 Policia përgenjështron lajmin për arratisjen duke shtuar se është vetëdorëzuar vetë në polici.

"Drejtoria e  Përgjithshme e Policisë së Shtetit, informon publikun se përkundër disa lajmeve të rreme mbi arratisjen e shtetasit Alqi Bllako, ky shtetas ndodhet në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë që prej mbrëmjes së djeshme. Sqarojmë se shtetasi Alqi Bllako është vetëdorëzuar konform detyrimit ligjor për zbatimin e masës së sigurisë  "Arrest në burg", lëshuar dje nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar" informoi sot policia.

Ora 22:06: GJKKO firmosi arrestin. Enigmë vendndodhja e Alqi Bllakos, dyshohet se është larguar

Gjykata e Posaçme ka miratuar sot kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-deputetit Alqi Bllako. Por pranë banesës së tij në Rrugën e Elbasanit, vijon të ketë prani të shumtë uniformash blu prej mesditës të së enjtes, por ende nuk ka një konfirmim për arrestimin e ish-deputetit, apo nëse ka dijeni për vendodhjen e tij.

Dyshohet se ish-deputeti është larguar, ndërkohë që policia është në kërkim të tij.

Po këtë të enjte gjyqtarja Irena Gjoka ka bërë vlerësimin e masave të sigurisë edhe për 5 nga 9 personat e akuzuar për inceneratorin e Fierit. Masat u verifikuan për Lefter Kokën, Pëllumb Abeshi, Azem Shatëri , Florian Muca dhe Sabina Cenameri. Klodian Zoto është ende në arrati, ndërsa pritet të jepet masa edhe për 3 të tjerët Erjon Murataj, Arenc Myrtezani dhe Etleva Kondi.

Në gjykatë u paraqit së bashku me të arrestuarit e tjerë edhe ish ministri Lefter Koka. Avokatët e tij cilësuan të padrejtë faktin që Koka të merrte masë tjetër për të njëjtën akuzë, ndërsa nga ana e prokurorisë u argumentua se bëhej fjalë për dy episode të ndryshme.

Masa me të lehta u kërkuan edhe për të akuzuarit e tjerë të cilat nuk u pranuan nga gjykata. Në fuqi u lanë masat edhe për 5 përsonat akuzuar për inceneratorin e Elbasanit të cilat u morën nga gjyqtari Erjon Bani.

Ora 12:55 SPAK arreston Alqi Bllakon, ish-deputetit socialist kontrollohet banesa

Gjykata e Posaçme ka miratuar sot, 31 mars kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-deputetit Alqi Bllako. Vendimi u mor nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila ka verifikuar masat edhe për 5 nga 9 të akuzuarit për incineratorin e Fierit. I zgjedhuri i PS u prangos në banesën e tij në Tiranë ndërkohë që do t'i nënshtrohet hetimeve për abuzime dhe marrje ryshfeti nga kompania e incineratorit të Elbasanit.

Tiranë - Prokuroria e Posaçme nuk ka humbur kohë për prangosjen e ish-deputetit socialist Alqi Bllako.

Menjëherë sapo Kuvendi ka dërguar zyrtarisht shkresën, ku vërtetonte që Alqi Bllako nuk është më deputet, SPAK i është drejtuar me kërkesë gjykatës për miratim e “arrestit me burg”.

Masa është ekzekutuar menjëherë, ndërsa banesa e ish-deputetit i është nënshtruar për disa orë edhe një kontrolli nga forcat operacionale të policisë.

Bllako pritet te paraqitet ne gjykatë për tu verifikuar masa e sigurisë.

Për çfarë akuzohet

Zoti Bllako, akuzohet për “Shpërdorim të detyrës” në bashkëpunim dhe “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”. Sipas Prokurorisë së posaçme ai, në bashkëpunim me ish Ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe një tjetër zyrtar të Ministrisë, ku ai ka patur detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm, kanë përgatitur dokumentacion të falsifikuar në lidhje me të dhënat e pronës së shpronësuar, për ndërtimin e inceneratorit të Fierit, duke ndryshuar cilësimin nga “arë” në “tokë truall”, duke rritur vlerën e shpronësimit.

Po ashtu ai dyshohet se ka favorizuar shoqërinë përfituese të koncensionit, në këmbim “të përfitimeve të parregullta” me një vlerë prej afro 150 mijë dollarë, të cilat kanë shkuar në formën e pagesave të larta mujore për babanë e tij, i punësuar pranë inceneratorit të Tiranës.

Kërkesa e Prokurorisë për arrestimin e tij, ishte pjesë e 14 urdhërave të tjerë të arrestit ndaj funksionarëve lokalë dhe anëtarëve të Komisioneve të Koncensionit për inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit, përfshirë për herë të dytë ish ministrin Koka dhe sipërmarrësin Klodian Zoto, që zotëronte 70 përqind të aksioneve në inceneratorin e Fierit.

Të arrestuarit e tjerë 

Po këtë të enjte, 31 mars, gjykata ka bërë vlerësimin e masave të sigurisë edhe për 5 nga 9 personat e akuzuar për incineratorin e Fierit. Masat u verifikuan për Lefter Kokën, Pëllumb Abeshi, Azem Shatëri , Florian Muca dhe Sabina Cenameri.

Klodian Zoto është ende në arrati, ndërsa pritet të jepet masa edhe për 3 të tjerët Erjon Murataj, Arenc Myrtezani dhe Etleva Kondi.

Në gjykatë u paraqit së bashku me të arrestuarit e tjerë edhe ish-ministri Lefter Koka. Avokatët e tij cilësuan të padrejtë faktin që Koka të merrte masë tjetër për të njëjtën akuzë, ndërsa nga ana e prokurorisë u argumentua se bëhej fjalë për dy episode të ndryshme.

Masa me të lehta u kërkuan edhe për të akuzuarit e tjerë të cilat nuk u pranuan nga gjykata. Në fuqi u lanë masat edhe për 5 personat akuzuar për inceneratorin e Elbasanit të cilat u morën nga gjyqtari Erjon Bani.

Dy prej të pandehurve ashtu si dhe zoti Koka kane masë për të dy incineratorët. Deri tani ka shkuar në 11 numri i personave që janë arrestuar për të dy incineratorët, ndërsa vijojnë të jenë të shpallur në kërkim Stela Gugallja dhe Klodian Zoto.

Hetimet vijojnë për incineratorin e Tiranës ku SPAK ende nuk ka vepruar për zbardhjen e shkeljeve dhe përgjegjësve për dëmin e shkaktuar shtetit.