Komisioni i Rithemelimit merr PD, Balliu: Vendimi i gjykatës shkatërroi puçin e Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij

Partia Demokratike me vendim gjykate nga dita e djeshme, 25 mars 2022, i përket juridikisht Komisionit te Rithemelimit.

Në lidhje me këtë ish-deputeti i PD, Klevis Balliu është shprehur se dita e djeshme për demokratët ishte pozitive, por sipas tij ishte ditë e tmerrshme për Edi Ramën dhe bashkëpunëtorët e tij, pasi sipas Balliut, puçi i tyre nuk funksionoi.

Klevis Balliu: Dita e djeshme ishte pozitive, dhe me emocione që demokratët po ktheheshin në shtëpinë tij, por nga ana tjetër ishte një ditë e tmerrshme për Edi Ramën dhe të gjithë bashkëpunëtorëve të tij. Puçi i tyre nuk funksionoi. Demokratët janë aty gati për një luftë frontale me Edi Ramën.

Balliu tregoi dhe për diskutimet në mbledhjen që u zhvillua ditën e djeshme duke thënë se u bisedua edhe për shtyrjen e afatit të zgjedhjeve për kryetar dege.

Klevis Balliu: Dje u morën vendimet për ç’bunkerizimin e selisë së PD. Një nga vendimet e para ishte kthimi i rojes së PD, i cili u dorëhoq, gjatë debateve të brendshme, dhe sot ishte aty me ne. U diskutua për shtyrjen e afatit  të zgjedhjeve për kryetar dege. U diskutua për çështje administrative dhe patjetër për administrimin e godinës që duhet të filloj sa më shpejt.

Ai tha se sot në krye të PD është Komisioni i Rithemelimit ndërsa shton se nuk ekziston një kryetar i komanduar bazuar në statutin që miratoi dje gjykata.

Klevis Balliu: Gjykata ka marrë një vendim, statuti i 11 dhjetorit është regjistruar, ai statut shkrin çdo anëtar të Kryesisë së pavotuar dhe faktikisht  ajo kryesi nuk mund të marrë ato vendime. Praktikisht sot Basha nuk është i dorëhequr por i shkarkuar. Nuk ekziston ideja dhe koncepti i kryetarit të komanduar të PD. Sot në krye të PD është Komisioni i Rithemelimit.

Ndër të tjera ai tha se në parlament duhet të ketë opozitë pa konflikt të brendshëm  që t’i bëjnë ballë qeverisë së Edi Ramës.

Klevis Balliu: Opozitarizmi në parlament ka rëndësinë e vet dhe duhet që grupi të jetë përballë qeverisë së Edi Ramës pa qenë në  një konflikt të brendshëm.

Sipas tij është Sali Berisha ai që di të bëjë opozitë më mirë se askush.

Klevis Balliu: Sali Berisha di të bëjë opozitë më mirë se askush. Do të jetë një opozitë e vërtetë.  Kjo do të shihet, kur Berisha të kandidoj dhe të zgjidhet kryetari i partisë. Nëse ne u qëndrojmë parimeve për të cilat është themeluar ajo parti bashkimi është shumë i lehtë. Aktualisht kryefjala është bashkimi, por nuk duhet të harrojmë se thelbësore është hapja e partisë. Ka ardhur momenti që ne të marrim hapa konkrete që mos t’I lëmë të rinjtë të ikin. Duhet t’u hapim rrugët dhe dyert që të bëhen pjesë e partisë dhe pjesë e institucioneve vendimarrëse në PD.

Intervistoi Siklajda Shorja, përgatiti Anila Kolgjini.