Berisha merr PD-në edhe me ligj, gjykata regjistron statutin e Komisionit të Rithemelimit

Partia Demokratike nga kjo e premte, 25 mars 2022, i përket juridikisht Komisionit te Rithemelimit.

Sali Berisha dhe mbështetësit e tij morën, me vendim gjykate edhe selinë, vulën dhe logon e re të partisë.

Gjyqtari Agron Zhukri pas 30 minutave shqyrtim të kërkesës për regjistrim të statutit të miratuar në Kuvendin e 11 Dhjetorit vendosi pro tij.

Përfaqësuesi ligjor i Komisionit të Rithemelimit në Gjykatë, Ivi Kaso tha se organi drejtues i Partisë Demokratike është Komisioni i Rithemelimit. Ai sqaroi se si vendimi është i paankimueshëm pasi nuk pati palë në proces.

Ivi Kaso: " Ankimi i paraqitur ditën e djeshme nga ish-përfaqësuesit e Partisë Demokratike, tashmë pa tagër, lidhur me vendimarrjen për kuvendin e datës 17 korrik 2021 nuk ndikon në asnjë mënyrë në shqyrtimin e çështjes së kuvendit të datës 11 dhjetor 2021 që është një çështje krejt tjetër. Nuk e di në qoftë se do të merret nga gjyqtarja që ka dhënë vendimin apo jo ky ankimim"

Ky vendim që konsiderohet kyç për demokratët të cilët prej kohësh janë në konfliktin më të egër politik por edhe atë ligjor përsa i përket të drejtës së kush ka selinë, shtoi edhe më shumë përçarjet.

Pasuesit e Lulzim Bashës në PD e konsiderojnë nul vendimin e gjykatës. Enkeljed Alibeaj paralajmëroi kallëzim penal ndaj gjyqtarit Zhukri.

Enkelejd Alibeaj: "Ne kemi bërë një ankimim për rregjistrimin e kuvendit 18 dhjetor. Eshtë i fundit kuvend që Partia Demokratike ka realizuar. Çështja është në Apel bashkë më të gjithë dosjen, bashkë me të gjithë provat. Gjygjtari sot ka marrë një vendim pa pasur prova, pa pasur dosje fare.

Me çertifikimin e statutit të 11 dhjetorit nga gjykata automatikisht zhbëhet statuti i Lulzim Bashës dhe vendimet e marra në Kuvendin e mbledhur prej tij 18 dhjetor 2021.

Pjesë e statutit të ri të demokratëve është edhe sanksionimi i largimit të kryetarit në rast se humb zgjedhjet.

Berisha riktheu referendumin e anëtarëve për vendime të rëndësishme si dhe njohjen e fraksioneve të brendshme.

Por me thelbësorja, statuti i ri i PD zhbën të gjitha vendimarrjet e kësaj partie që drejtohej nga Basha përfshi dhe kuvendin e 18 dhjetorit.