Durrës, shtëpi bari në kat të tretë. Në Korçë burri tenton të ikë përplas makinën e policisë

Laboratorët për kultivimin e kanabisit të njohura ndryshe si shtëpi bari, janë duke u përhapur me shpejtësi, muajt e fundit në vendin tonë.

Pamjet e policisë vijnë nga Durrësi.

Paulin Lleshaj kishte bërë gati gjithçka, që të ndërtonte shtëpinë e barit në katin e tretë të banesës së tij në lagjen 15.

Por ndërhyrja e policisë, ia ka lënë në gjysmë planin 47-vjeçarit i cili u arrestua në flagrancë.

Policia njoftoi se nga kontrolli i ushtruar në banesën e Lleshajt u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 4800 fara Cannabis Sativa, një sasi lënde narkotike, 23 llamba dhe 22 kondensatorë, si dhe pajisje të tjera që do të shërbenin për kultivimin e kanabisit, me anë të llambave.

Ndërkohë në Korçë ka vijuar në fazën e pestë operacioni i nisur me datën 7 nëntor të 2021, ndërsa këtë të shtunë në pranga kanë rënë Defrim Bardhushi dhe Elvis Venxha, që e çojnë në 12 numrin e të arrestuarve.

Policia juglindjes njoftoi se gjatë operacionit sekuestroi 51.5 kilogramë kanabis, që e çojnë në 373.5 kilogramë lëndë narkotike të sekuestruar në këtë operacion.

Njëri nga të arrestuarit ka dashur të largohet dhe ka përplasur me mjet, makinën e policisë ku ka mbetur i lënduar lehtë një prej efektiveve të policisë, ndërsa i arrestuari ishte nën masën e sigurisë arrest në shtëpi për trafikim klandestinësh, por kjo nuk e ka penguar që të merret përsëri me lëndën narkotike.