Pulat po shërohen

Ministria e Bujqësisë ka shpresuar në rritjen e temperaturave për të njoftuar se gripit të shpendëve po i vjen fundi.

“Gjatë 24 orëve të fundit nuk kemi patur konfirmime për asnje rast të ri pozitiv po ashtu nuk kemi pasur denoncime në numrin e gjelber.”

Por, edhe pse fshehu përhapjen masive të gripit të shpendëve për më shumë se 20 ditë duke ngjallur konfuzion në publik, Ministria e Bujqësisë nxiton duke u shprehur se situatën e ka nën kontroll.

“Nga kontrollet e kryera situata paraqitet e shendetshme, nuk ka raste të tjera të dyshuara. Aktualisht nuk kemi asnjë rast të ri të konfirmuar, janë marrë masat për lëvizjet e shpendëve në qarqet Durrës, Korçë dhe Dibër. Rastet e tjera janë tashmë të pastruara, janë në numër të vogël ngordhje, janë ferma të vogla, 300 pula.”

Ndërkohë, situata në terren nuk duket dhe aq e mirë, pasi vetë zv/ministrja Ermira Gjeci deklaron se janë duke u marrë masat për ndalimin e tregtimit të shpendëve të gjallë në mjedise të hapura të pamiratuara.

E pyetur për dëshmpërblimet e fermave që kanë pësuar humbje të mëdha, zv/ministrja theksoi se procesi do të marrë kohë pasi prioritet është shuarja e vatrave.

Ndër të tjera ajo shtoi se procesi i eliminimit të shpendëve të infektuar do të zgjasë të paktën edhe 5 deri në 6 ditë. Aktualisht janë 5 vatra aktive të konfirmuara në Durrës, Korçë, Dibër, Divjakë dhe Devoll.