"Nata Lezhjane në Prishtinë" prezantohen resurset turistike dhe historike të Lezhës
Në prag të çeljes së sezonit turistik, Bashkia e Lezhës prezantoi në Prishtinë resurset e saj turistike.
Një panair i konceptuar si "Nata Lezhjane në Prishtinë" mblodhi përfaqësues zyrtar të të dy vendeve, të cilët shijuan e vlerësuan prezantimin e qytetit të lashtë që nga tek historia, turizmi e kulinaria.
Kryebashkiaku Pjerin Ndreu tha se Lezha përfaqësohet nga një sërë atraksionesh turistike, të cilat nuk i gjen askund tjetër dhe bashkëkombasit e Kosovës ende nuk i njohin.
"Lezha është epiqendra e turizmit që vjen nga gjithë trojet shqiptare, shqiptarët e Kosovës zënë 65% të klientelës të turizmit në Shëngjin. Nga shqiptarët e Kosovës kryesisht kanë hapur biznese atje, kanë blerë apartamente, janë banues të Shëngjinit. Në Lezhë nuk vihen vetëm për të bërë plazh por mund të shikosh atraksione natyrore që nuk i gjen askund" tha Ndreu.
Ndreu paraqiti dhe iniciativat e reja të Bashkisë Lezhë për zhvillimin e turizmit.
"Lezha ka ndryshuar dhe vazhdon të ndryshojë, ka destinacione të turizmit malor që po zhvillohen. Kemi zona artizanale që janë me famë në gjithë Shqipërinë. Ne kemi intensifikuar marrëdhëniet me të gjithë eliotën zyrtare të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut", tha Ndreu.
Vizitorët nga Kosova janë pushuesit më të shumtë të bregdetit shqiptar në sezonin e verës.
