Prima balerina ikën nga teatri rus, Olga Smirnova: Më vjen turp nga Rusia

Prima balerina ruse, Olga Smirnova, është larguar nga Teatri rus “Bolshoi”, duke u deklaruar kundër luftës në Ukrainë. Ajo është mirëpritur nga Baleti Kombëtar Holandez. Ndërkohë edhe figure të tjera të baletit rus kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj luftës dhe çdo veprimi të dhunshëm.

Olga Smirnova, prima balerinë e Teatrit rus “Bolshoi” ka marrë vendimin të largohet nga vendi për t'u bashkuar me Baletin Kombëtar Holandez. 30-vjeçarja e cila kohët e fundit denoncoi pushtimin rus të Ukrainës, është shprehur "kundër kësaj lufte" dhe mori mbështetje edhe nga balerinat e tjera ruse.

Këtu LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Baleti Kombëtar Holandez konfirmoi për BBC se Smirnova do të fillojë menjëherë me ta. Drejtori i saj Ted Brandsen e përshkroi atë si një "balerinë të jashtëzakonshme". Smirnova mësohet se ka një gjysh ukrainas.

"Në një botë moderne, unë pres që shoqëritë e civilizuara të zgjidhin çështjet politike vetëm përmes negociatave paqësore. Nuk e kam menduar kurrë se do të turpërohem për Rusinë. Por tani e ndjej se është vënë një vijë që ndan para dhe pas. Më dhemb që njerëzit po vdesin, po humbasin ose detyrohen të braktisin shtëpitë e tyre."

Roli i saj i parë do të jetë shfaqja në baletin klasik Rajmonda, i cili do të shfaqet premierë më 3 prill në Amsterdam.

Figura të tjera të baletit përfshirë koreografin dhe ish-balerinin Alexei Ratmansky, i cili anuloi një premierë në Teatrin Bolshoi të Moskës muajin e kaluar kur Rusia pushtoi Ukrainën, balerini Vladimir Shklyarov dhe Diana Vishneva, ish-balerina kryesore e Baletit Mariinsky kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj luftës dhe çdo veprimi të dhunshëm.