E shkroi ndërsa ishte strehuar në bunkeret e Kievit, të ardhurat e librit do shkojnë për fëmijët në luftë

Shkrimtarja ukrainase, Larysa Denysenko, zgjodhi të botojë librin e saj në Britani dhe të gjitha të ardhurat që do të sigurohen nga shitja e tij do t'i dhurohen UNICEF-it për të mbështetur fëmijët e Ukrainës në pushtimin e vazhdueshëm.

 “Maya and Her Friends” është libri i shkrimtares ukrainase, Larysa Denysenko, e cila zgjodhi ta botojë atë në Mbretërinë e Bashkuar me synimin për të siguruar një fond bamirësie për fëmijët ukrainas.

Denysenko e shkroi hyrjen e librit të saj, ndërsa ishte strehuar në bunkeret e Kievit për t’i shpëtuar raketave ruse që binin në tokën e kryqytetit ukrainas.

“Ndërsa po ju shkruaj, raketat po fluturojnë jashtë dritareve të mia dhe në një distancë prej 20 km nga shtëpia ime, rusët po shkatërrojnë periferitë e Kievit”, rrëfen autorja në një email drejtuar shtëpisë botuese.

“Mariupol,- shkruan Denysenko, shtëpia e më shumë se 400,000 njerëzve, ka mbetur pa ujë, ngrohje dhe ushqim për shkak të shkeljeve të ligjit ndërkombëtar humanitar. Një fëmijë vdiq sot nga dehidratimi”.

Ndërkaq autorja theksoi se të gjitha fitimet e siguruara nga libri do t'i dhurohen UNICEF-it dhe përpjekjeve të tyre për të mbështetur fëmijët e Ukrainës në pushtimin e vazhdueshëm.

UNICEF vlerëson se qindra mijëra fëmijë janë në mesin e refugjatëve që kanë ikur nga Ukraina, dhe prej tyre shumë janë të pashoqëruar ose janë ndarë nga prindërit ose anëtarët e familjes.

Prandaj Denysenko thotë se e shkroi librin për të ndihmuar çdo fëmijë në Ukrainë që të ndihet sadopak i mbrojtur, pavarësisht nëse ka baba dhe nënë, ose vetëm një nënë, ose dy nëna, ose dy baballarë.