Me kallashnikov mbi biçikletë, arrestohet i riu nga Fushë Kruja

Policia e Vorës ka vënë në pranga një 18-vjeçar ndërsa lëvizte me armë zjarri pa leje.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Çiklisti”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje.

Operacionin policor i koduar "Çiklisti" çoi në arrestimin e shtetasit  Barom M, banues në Fushë-Krujë, për veprën penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit".

I riu është konstatuar në vendin e quajtur "Ura e Gjolës", duke lëvizur me biçikletë dhe gjatë kontrollit të ushtruar, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov dhe një krëhër me municion luftarak.

Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë vijon puna për zbardhjen e qëllimit dhe motiveve pse ky shtetas qarkullonte me armë zjarri.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.