Shoqata e Tregtimit të Titujve konkurs për forcimin e edukimit financiar, pjesëmarrës 150 studentë
Shoqata e Tregtimit të Titujve ka shpallur fituesit e konkursit temë ‘Bursa virtuale e titujve’, një lojë e zhvilluar për forcimin e edukimit financiar të studentëve shqiptarë. Në garë kanë marrë pjesë 150 studentë të 13 universiteteve publike dhe jopublike.
Pas rreth gjashtë javëve konkurrim, Shoqata e Tregtimit të Titujve ka shpallur skuadrat fituese të konkursit ndërkombëtar me temë ‘Bursa virtuale e titujve’, të mësojmë rreth tregut të letrave me vlerë.
Konkursi është zhvilluar për herë të parë në Shqipëri dhe pjesëmarrës kanë qenë 150 studentë të 13 universiteteve publike dhe jopublike. E gjithë kjo është zhvilluar në kuadër të punës për edukimin financiar dhe rritjen e ndërgjegjësimit publik në lidhje me tregun e kapitaleve në vend.
“Nuk është fitimi apo përfitueshmeria komponenti i parë që duhet të analizoni në performancën tuaj, por është mësimi, është si juve arrini të përballoni të gjitha efektet e tregut.”
Skuadrat e ndara me 3-4 studentë janë pajisur me fonde virtuale në vlerën e 50 000 eurove dhe kanë pasur mundësinë të aksesojnë çmimet reale të tregtimit të aksioneve dhe obligacioneve, duke ndërtuar kështu një portofol virtual investimesh në letra me vlerë, me qëllim maksimizimin e normës së kthimit nga investimi.
“Mos mendoni vetëm për kursim dhe investim, por dhe për sigurimet”, ishte sugjerimi i pedagogëve për studentët që u bënë pjesë e lojës.
