Paketa e rezistencës, Vasili: Oligarkët zorrë qorre e kryeministrit, Rama peng i tyre
Qeveria ka vendosur që dita e hënë të jetë pushim për administratën shtetërore. Madje ekzekutivi do të vendosë që në këtë ditë të ndalohet edhe qarkullimi i automjeteve, por tashmë jo për arsye ekologjike, por për të kursyer energji.
Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili në një lidhje të drejtpërdrejtë në Ora News me gazetarin Arnold Kariqi u shpreh se "kryeministri zgjedh pazaret me të ashtuquajtura borde që ndërton dhe në vend të zgjidhjeve ligjore bën atë që quhet ankandin, tenderin e ditës."
Vasili: Të gjitha vendet ballkanike kanë ndërhyrë në mënyrë transparente te taksat. Maqedonia e Veriut ka ndërhyrë te akciza, të tjerat të TVSH-ja e me radhë. Ne kemi propozuar për pezullimin e përkohshëm të dy taksave, të qarkullimit dhe karbonit. Ulen këto taksa, ulet çmimi në mënyrë të qëndrueshme dhe pjesën tjetër e rregullon tregu. Jo të bëjë pazar me oligarkët që ka përqark dhe vë çmimin 230 apo 210 apo çfarë do ai. Ulen taksat dhe pastaj në treg vazhdojnë të jenë diferencat plus, minus. Oligarkët kanë në dorë gjithë tregun dhe rritja ka qenë për të zhvatur dhe zbritjet janë po të tilla. Mbajnë një çmim i cili u bën mirë atyre ndërkohë që asgjëson dhe nxjerr nga loja mjaft distributorë të tjerë. Ne kemi TVSH 20%. Ky nuk është shtet, ky është një banditizëm privat mafioz i kryeministrit, i cili luan me këto gjëra.
Zoti Vasili u shpreh se ulja e taksave e propozuar nga LSI është një e mirë që shkon vetëm për qytetarët. Sipas tij, kjo nuk i bën dëm buxhetit të shtetit.
Vasili: Buxheti i shtetit është deklaruar haptas që në 2 muaj ka mbledhur 180 mln dollarë më shumë nga parashikimi i tij sepse janë rritur çmimet. Në këtë mes ka 2 të fituar. Fiton Edi Rama për të mbushur arkën e shtetit dhe të vijojë të paguajë incineratorët dhe tenderat e koncesionet, fitojnë dhe oligarkët. Por kush humbet? Humbet qytetari. Duke ulur këto taksa të cilat nuk ndikojnë, shteti do fitonte më pak, por qytetarët do liroheshin nga këto shpenzime, do merrnin pak frymë. Por oligarkët e kanë zënë për fyti, janë ata që komandojnë edhe uljet edhe ngritjet, pra komandojnë të dy së bashku. Kryeministri dhe oligarkët që përdoren si zorrë qorre e kryeministrit, gjithçka në kurriz të qytetarëve.
Zoti Vasili i bëri thirrje qytetarëve të protestojnë pa u lodhur sepse përballë kanë një peng të oligarkëve siç është Edi Rama.
Vasili: Qytetarët duhet të kuptojnë se kanë vetëm një zgjidhje. Gjuha e arsyes me këtë kryeministër nuk funksionon, por funksionon gjuha e forcës nëpërmjet protestës.
