Zjarr i madh në Kuçovë, në rrezik disa banesa, në vendngjarje dhjetëra policë dhe zjarrfikëse

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë mbrëmjen e sotme Kodrën e Matranasë në fshatin Perondi në qytetin e Kuçovës.

Zjarri është përhapur me shpejtësi, duke marrë përmasa të mëdha dhe duke rrezikuar disa banesa që ndodheshin pranë vatrës së zjarrit.

Fillimisht kanë qënë banorët e zonës ata që janë përpjekur të shuajnë flakët e para dhe kanë njoftuar zjarrfikësen.

Menjëherë në ndihmë të zjarrfikësve kanë mbërritur 17 efektivë të Repartit Zjarrfikës të Beratit, që janë duke luftuar me flakët.

Zjarrfikësit mundën të shmangin përpapjen e zjarrit drejt 7 banesave që rrezikoheshin dhe tashmë janë duke mbajtur nën kontroll vatrat që aktivizohen nga era.

Drejtori i MZSH-së Berat, Ervin Hoxhallari ka deklaruar se ka qenë një aksion sa i vështirë aq edhe i rrezikshëm për të shmangur përhapjen e zjarrit drejt banesave.

Edhe pse flakët e zjarrit janë lokalizuar dhe nuk rrezikojnë banesat-tha Hoxhallari-i gjithë territori do të mbahet në monitor për shkak të ndonjë riaktivizimi të mundshëm të vatrave të zjarrit nga era.