Ibrahimaj: Bordi do të kontrollojë çmimet, kompanitë ranë dakord për fitim minimal

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj si dhe ajo e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca kanë dalë mbrëmjen e sotme në një komunikim për shtyp.

Delina Ibrahimaj tha se qëllimi i bordit të shportës është përcaktimi i instrumentit që do kontrollojë çmimet dhe nuk do lejojë që të rriten në mënyrë jokonsistente me ato të importit.

Sipas saj, kompanitë prezentë në mbledhjen sot kanë dhënë dakordësi për të pasur marzh fitimi minimal mbi produktet bazë, më të rëndësishme.

Ibrahimaj: Qëllimi i bordit është përcaktimi i instrumentit që do kontrollojë çmimet dhe nuk do lejojë që të rriten në mënyrë jokonsistente me ato të importit. Tregu nuk monitorohet lehtë, disa prej tregtarëve janë importues direkt, disa janë përpunues e disa paketues e shitës. Bordi do të ketë si detyrë monitorimin e kostove të prodhimit për të gjithë tregtarët kryesorë dhe monitorimin e marzheve të fitimit. Kompanitë prezentë në mbledhjen sot kanë dhënë dakordësi për të pasur marzh fitimi minimal mbi produktet bazë, më të rëndësishme.

Ne nuk mund të kontrollojmë çmimin, vjen nga inflacioni i importuar. Në vijim do informojmë mbi të gjithë aktivitetin e bordit dhe instrumentin e monitorimit. Do ketë një mekanizëm që do përcaktojë si do kontrollohen tregtarët me pakicë që mos lejojmë abuzim. Kemi vendosur një garanci që do përdoret nga tregtarët kryesorë që të garantojnë blerjet e tyre që produktet të mos mungojnë në një periudhë afatmesme.