Nesturi: PD po shkon drejt 3 grupeve parlamentare. Duhet figurë e re për të nxjerrë partinë nga kriza
I dërguari i Posaçëm i sapoemëruar i qeverisë gjermane për shtetet e Ballkanit Perëndimor, Manuel Sarrazin, në vizitën e tij në Tiranë ka takuar kreun e PD-së Lulzim Basha dhe ish-kryeministrin Sali Berisha.
Në një intervistë për RTV Ora me gazetaren Besmira Pelushaj, analisti Plator Nesturi, shprehet se pala gjermane ka ndërhyrë edhe më parë jo vetëm për krizat në PD por edhe për drejtimin dhe fokusimin e partisë.
Plator Nesturi: Nuk është hera e parë që pala gjermane dhe nga partitë simotra të PD ka pasur ndërhyrje të kësaj natyre. Në këtë aspekt ka qenë një element ndihmës jo vetëm për krizat por edhe për drejtimin e për fokusimin e PD, si para fushatës elektorale për të marrë, pushtetin ashtu edhe në problemet e brendshme të saj.
Nesturi tha se kriza e PD ka ardhur pasi nuk ka ditur të frymëzojë dhe të merret me problematikat që ka pasur shoqëria shqiptare. Ai tha se shqetësuese në këtë parti është fakti se nuk dalin figura të reja për të marrë postin e kreut të PD dhe për ta nxjerrë këtë forcë politike nga kriza.
Plator Nesturi: Vendit gjithmonë i duhet një opozitë. Është opozita e cila kanalizon çdo lloj pakënaqësie për ta bërë kauzë të veten në mënyrë që t’i bëhet një lloj blloku përballë mazhorancës. Kjo ka qenë kriza e PD sepse nuk ka ditur të frymëzoj, të japë besim dhe që gjithë problematikën që ka pasur shoqëria shqiptare ta kanalizojmë në kuadrin e grumbullimit të një force që do të sillte dhe ndryshimet në parlament. Këto problematika në vetvete shoqërojnë dhe të gjithë atë që po ndodh sot. Kriza në PD është shumë e thellë. Ajo që është shqetësuese është fakti se në këtë parti nuk po prodhohen figura të reja për të marrë stafetën dhe për ta nxjerrë partinë nga kriza.
Për Nesturin, Basha është i larguar nga PD ndërsa shton se me situatën aktuale, kjo forcë politike po shkon drejt 3 grupeve parlamentare.
Plator Nesturi: Për mua Basha është i ikur dhe mbetet vetëm testamenti politik i tij. Fjalori i vrerit, i akuzave ka hyrë aq thellë sa e vështirëson gjithçka. PD po shkon drejt 3 grupeve parlamentare. Për sa kohë që edhe gjykatat nuk janë shprehur se kush ka të drejtën e vulës meqë ka pasur dy Kuvende, atëherë e gjithë beteja zhvillohet në parlament se kush ka numrin më të madh të deputetëve.
Ai ka komentuar dhe reagimin e deputetëve, të cilët kërkojnë dorëheqjen e Lulzim Bashës.
Plator Nesturi: Lëvizja që bën deputetë të caktuar që kërkojnë dorëheqjen e Bashës por nuk shkojnë të foltorja për t’iu bashkuar Berishës tregon që ka ende një tharmë, i cili këto personazhe i shikon si anë negative që mbajnë njëra tjetrën. Mendoj se Bashën e mbante pikërisht Berisha.
Përgatiti Anila Kolgjini.
