Pa transport dhe pa mësim, nxënësit nga fshatrat e Delvinës ngelen jashtë portës së shkollës

Mungesa e transportit urban në Delvinë po penalizon nxënësit nga fshatrat që ndjekin shkollat në qytet. Ata detyrohen të udhëtojnë në këmbë ose me mjete të rastit e për pasojë shpesh herë kur mbërrijnë e gjejnë portën të mbyllur.

Ky është një mëngjes i zakontë, për nxënësit e gjimnazit “Sulejman Delvina”, në qytetin e Delvinës.

Për mungesë të transportit, ata që vijnë nga fshatrat lëvizin me mjete të rastit dhe mbërrijnë në qytet pas orës 08:00 kur portat e shkollës janë mbyllur.

Në këto kushte se një pjesë të mirë të javës ngelen pa mësim.

“Autobusi na vjen në orën 8 pa 5 dhe ne vijmë këtu në orën 8:03. Tani kemi ngelur jashtë se porta është mbyllur.”

“Rasti i djeshëm na lanë dy orë jashtë dhe mbrapa na kthyen në shtëpi.”

“Gjithë problemi është te autobusët te linjat, të vijnë 5 minuta më shpejt."

Kryetarja e Bashkisë Delvinë, Majlinda Qilimi e pyetur nga Ora News pranon problemin.

Thotë se në mënyrë provizore, janë munduar ta zgjidhin duke ndërhyrë tek drejtuesit e shkollës për ti lejuar nxënësit në mësim.

“Kam folur edhe me zyrën arsimore. Ata duhet të bëjnë punën për sensibilizimin e nxënësve që ata të paraqiten gjithmonë në orarin dhe në kohën e duhur.”

Ndërsa në plane afatgjatë bashkia po punon, për vendosjen e një urbani posaçërisht për gjimnazin.

“Nga ana e bashkisë Delvinë, ne do i ndërmarrim të gjithë hapat ligjor, për të mundësuar vendosjen në dispozicion të nxënësve të një mjeti transporti.”

Derisa bashkia e Delvinës tu japë një zgjidhje përfundimtare, nxënësit nga fshatrat e largëta që ndjekin shkollën në qytet do tu duhet të ecin me kilometra të tëra në këmbë ose të shpresojnë se dikush do ti marrë në makinë një copë rrugë.