Refugjatët e parë ukrainas në Vlorë, dy nëna me fëmijë dhe një burrë i sëmurë. Flet gruaja: 21 ditë udhëtim
Dy familje ukrainase, një nënë e vetme me dy fëmijë dhe një tjetër me një vajzë të vogël, si dhe një burrë i vetëm i sëmurë, kanë mbërritur në Vlorë.
Ata janë paraqitur ne zyrën e migracionit pasi po kryejnë regjistrimet në tokën shqiptare.
Njëra prej grave, Kseniia Breus, tregon për Ora News peripecitë që ka hequr në luftë.
Ajo tha se i është dashur që me fëmijët të flejë poshtë në bunkerë dhe më pas të udhëtojë prej 21 ditësh nga Ukraina në Poloni, Moldavi, Bullgari, Maqedoni dhe më pas në Shqipëri.
Shtetasja ukrainase ka ardhur e vetme pasi burri i saj është ende ushtar aty. Shprehet e frikësuar për jetën e tij.
Anzor Popov është shtetasi i cili i ka mirëpritur në Shqipëri.
Ai ka blerë shtëpi këtu dhe jeton prej një viti e gjysëm.
Popov ka ende në atdhe nënën e tij dhe shumë të afërt të cilët po jetojnë në bodrume për shkak të luftës.
Thotë se e ka të pamundur që ti marrë familjarët në Shqipëri për shkak se aeroportet janë jashtë funksioni.
