Karta e studentit pa asnjë funksion, studentët: Qeveria të na lehtësojë jetesën

Studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale këtë të martë janë ngritur në protestë ku kanë shpalosur kërkesat e tyre ndaj qeverisë shqiptare. Protestuesit i kanë bërë thirrje qeverisë që të reagojë dhe për kartën e studentit, e cila nuk ofron asnjë lehtësi për to, ndërsa kanë konfirmuar se do t’i bashkohen protestës përballë Kryeministrisë kundër rritjes së çmimeve.

Një pjesë e studentëve të Fakultetit të Shkencave Sociale bojkotuan mësimin për tu mbledhur para oborrit të shkollës për të kundërshtuar rritjen e çmimeve, të cilat ua kanë shtuar shpenzimet. Ata i kanë kërkuar Qeverisë të marrë disa masa.

"Ne vuajmë më shumë, ne jemi ata që paguajmë faturat".

"Ne jemi në luftë për mbijetesë, ju jeni në luftë për atë dreq karrigeje që na mori në qafë gjithë brezin e ri, gjithë pensionistët."

Ata u ndalën dhe te karta e studentit, që sipas tyre nuk plotëson asnjë nga nevojat që kanë.

"Studentët vazhdojë të paguajnë tarifa të kripura. Kemi hedhur idenë e arsimit publik falas. Karta e studentit është skandal, nuk ofron asnjë nga 5 shtyllat kryesore të shërbimeve."

Protesta dhe bojkot të mësimit paralajmërojnë dhe studentët e Universitetit të Korçës në rast se nuk u plotësohen kërkesat që i kanë kërkuar Ministrisë së Arsimit.

"Dolëm me disa kërkrsa ku kryesorja është karta e studentit. Presim 1 ose 2 ditë më pas bojkot mësimor dhe protestë për të kërkuar të drejtat tona".

Studentët prej disa ditësh i janë bashkuar edhe protestave që janë zhvilluar para Kryeministrisë, ndërsa edhe këtë të martë bënë thirrje që mblidhen në sheshin "Skënderbej" e më pas të marshojnë në drejtim të Kryeministrisë në ditën e 7 të protestës.