KQZ i kërkon Çuçit shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së kartave ID: Askush të mos privohet nga vota
KQZ dëshiron që me 6 mars të mos kufizohet asnjë qytetar për të ushtruar të drejtën e votës. Për këtë arsye Kryekomisioneri me anë të një shkresë kërkon nga Ministria e Brendshme që të shtyjë vlefshmërine e dokumentave të identifikimit të skaduara në ato bashki ku do të zhvillohet zgjedhje.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi i ka kërkuar Ministrit të Brendshëm shtyerjen e afatit të vlefshmërisë së dokumentave të identifikimit për qytetarët që do të duhet të votojnë me 6 mars.
Në shkresën e nisur Blendi Çuçit, Celibashi nënvizon se këta qytetarë nuk duhen privuar nga vota, duke i justifikuar me kohën e shkurtër që kanë pasur në dispozicion për t’i rinovuar këto dokumenta, si dhe për shkak se se në disa bashki do të zhvillohen zgjedhje edhe në zona të thella rurale.
Për t’u ardhur në ndihmë personave me aftësi të kufizuar, KQZ-ja ka kërkuar vendosjen e qendrave të votimit në katet e para të objekteve si dhe këto QV të pajisen edhe me rampa për të lehtësuar lëvizjen e tyre.
Ambasada amerikane në Tiranë do të vëzhgojë zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit.
4 përfaqësuesit diplomatikë së bashku me 4 përkthyes do të zbresin vetë në terren për të parë nga afër zhvillimin e procesit zgjedhor në bashkitë ku qytetarët do t’u drejtohen kutive të votimit.
