Guxholli: Nga lufta në Ukrainë do të preket sektori i turizmit dhe bujqësisë në Shqipëri

Ekspertja e ekonomisë Suzana Guxholli, është shprehur se si pasojë e luftës në Ukrainë, do të preken sektori i turizmit dhe bujqësisë në vendin tonë.

 Në një intervistë për Ora Neës, Guxholli tha se lufta ndikon në turizmin shqiptar pasi shumë turistë vinin nga Ukraina dhe Rusia.

Suzana Guxholli: Turizmi është një sektor jetësor për ekonominë shqiptare dhe zhvillimin e saj, që sapo filloi të rimëkëmbej, burimi nga vinin një numër i madh turistësh ishin Ukraina dhe Rusia. Kjo luftë shteron mundësinë e turistëve në këtë fushë. Pra turizmi është një sektor që preket. Është sektori i bujqësisë, jo vetëm nga lufta por edhe nga një sërë arsyesh tjera.

Ndër të tjera ajo tha se si pasojë e luftës është është rritur kostoja e karburantit dhe energjisë.

Suzana Guxholli: Si pasojë e luftës është rritur kostoja e karburantit dhe energjisë. Tashmë është e deklaruar nga fermerët që kapacitet e prodhimit do të jenë automatikisht 25% më të ulëta. Do të kemi më pak ofertë në treg dhe çmime më të larta. Do të kemi më shumë produkte nga importi.