“Kushtrimi” i shtëpive të barit, laboratori me 300 rrënjë hashash vë në lëvizje policinë e Vlorës
Pas zbulimit të një laboratori të kultivimit të bimëve narkotike me llampa, policia e Vlorës ka nisur kontrolle në lagjen "Kushtrimi" me dyshimin se në zonë mund të ketë edhe të tjera shtëpi bari. Lidhja e paligjshme e energjisë elektrike që zbuloi laboratorin, ndërkohë ka çuar në pranga tre punonjës të OSHEE, krahas 40-vjeçarit që u kap duke rritur hashash me llamba.
Zbulimi i një laboratori ku përmes ngrohjes me llamba po kultivoheshin 330 rrënjë kanabis sativa në një banesë në mes të lagjes “Kushtrimi” ka vënë në lëvizje policinë e Vlorës.
Agjentë të krimeve të rënda dhe anti drogës krehën zonën në kërkim të të tjerave shtëpi bari që mund të jenë ngritur aty dhe arrestimin e personave të përfshirë në veprimarinë kriminale.
Nuk dihet nësë blutë kanë informacione konkrete apo vetëm do të verifikojnë ambiente që mund të jenë të dyshuara.
Këto pamje ndërkohë tregojnë atë që ka mbetur pas ndërhyrjes së policisë në laboratorin e kanabisit të zbuluar të mërkurën ku u vu në pranga Anest Rrapaj 40 vjeç.
Në dëshminë e parë në polici ai mësohet se ka treguar se shtëpinë që ktheu në laborator kanabisi ia kishte lënë në ruajtje një i afërm që jeton jashtë vendit.
Për të kultivuar bimët narkotike ai kishte vendosur aty 88 llamba ndërsa muret ishin veshur me material për të ruajtur nxehtësinë.
18 freskuese dhe 5 aspiratorë përdoreshin për të qarkulluar ajrin.
Në rritjen e kanabisit, 40-vjeçari besohet se ka bashkëpunuar edhe me persona të tjerë, që deri më tani janë të lirë.
Lidhja e paligjshme e energjisë elektrike që zbuloi laboratorin, ndërkohë ka çuar në pranga tre punonjës të OSHEE në Vlorë.
Elmaz Elmazi 33 vjeç, Erand Malkaj 32 vjeç, banues në Vlorë, me detyrë elektriçistë pranë OSHEE Vlorë, dhe Marsel Rrapaj 33 vjeç, banues në Vlorë, me detyrë faturist akuzohen për shpërdorim detyre.
Shtëpite e barit janë kthyer dy vitet e fundit në mënyrën kryesore të kultivimit të bimëve narkotike në Shqipëri.

