Tallja e Veliajt me pronat, banorët e Laprakës: Njësoj si Putini bombardoi Kievin, Rama po pushton Laprakën

Banorët e Laprakës vazhdojnë të protestojnë kundër devijimit të unazës së madhe të tiranës, projekt nga i cili rrezikojnë shembjen me dhjetëra banesa. Për ta padrejtësia që po u bëhet është njësoj si padrejtësia që Putin po bën ndaj Ukrainës. Revolta e tyre bëhet edhe më e fuqishmë përballë heshtjes dhe refuzimit të qeverisë për të negociuar me ta.

Banorët e Laprakës kanë dalë sërish në protestë në mbrojtje të shtëpive të tyre. Ata e kanë paralelizuar situatën e tyre me luftën Rusi-Ukrainë.

“ Njësoj si Putini pushtoi Kievin, pushtoi Rama 5-majit, do bombardojë edhe Lapraken.”

Ata shprehen se është heshtja e qeverisë, ajo që po i shtyn të vijojnë gjithnjë e më shumë protestat.

“Jemi të rraskapitur nga refuzimi dhe injorimi që na bën shteti. Mallkuar qofshi me gjithë ligjet tuaja.”

Në këtë situatë, banorët shqetësohen më shumë për fëmijët e tyre, e se e gjitha kjo po përkthehet në një dramë sociale.

“Balluku moj, çon psikolog nëpër shkolla ti, 1000 fëmijë në Astir vuajnë trauma psikologjike për të gjithë jetën.”

Protestuesit, janë të pakënaqur me çmimin që u është vlerësuar prona nga bashkia e Tiranës.

“300 euro metri katror, nga 1200 që sugjerohet, as për një banjo nuk na del.”

Protestat në zonën e Laprakës, kanë nisur afro 7 muaj më parë, e deri tani banorëve nuk u është ofruar asnjë zgjidhje nga Bashkia e Tiranës.

 Askush, nuk po mban përgjegjësi, e përballë refuzimit të vazhdueshëm. Protestuesit thonë se nuk do të lejojnë shembjen e shtëpive të tyre.

Protesta e radhës është thirrur sërish ditën e shtunë në Paskuqan.