Ora News brenda shtëpisë së barit në Vlorë, ja çfarë ka mbetur nga laboratori që kultivonte kanabis

Kjo është çfarë ka mbetur në banesën në lagjen "Kushtrimi", në të cilën kultivohej kanabis me llamba.

Ora News me kameran e saj depërtoi brenda ambjenteve të shtëpisë.

Nga pamjet duket qartë modifikimi që i është bërë banesës teksa e gjithë ndërtesa i është nënshtruar kontrollit policor.

Shtëpia ishte shndërruar në një laborator të rritjes së bimëve narkotike përmes ngrohjes me llamba.

Lidhja e paligjshme energjisë elektrike që përdorej zbuloi veprimtarinë në qytetin bregdetar.

Kur efektivët e policisë së Vlorës mësynë brenda ambientit u përballën me një pyll kanabisi.

330 rrënjë po kultivoheshin në kova plastike.

Mbi to qëndronin të vendosura për ti ngrohur 88 llamba ndërsa muret ishin veshur me material për të ruajtur nxehtësinë.

18 freskuese dhe 5 aspiratorë përdoreshin për të qarkulluar ajrin nga shtëpia e barit.

Një sasi tjetër kanabisi ndërkohë ishte në proces tharje.

Në pranga përfundoi Anest Rrapaj 40 vjeç, i cili sipas policisë e kishte në përdorim banesën që ishte kthyer në laborator kanabisi. Ndërsa sot u arrestuan edhe 3 punonjës të OSHEE Vlorë.