Me kokën ulur, ish-polici shpreh pendesë për vrasjen në supermarket, gjykata e lë në burg
Pas disa muajsh në arrati për akuzën e vrasjes, ish-polici Arbër Sulaj është paraqitur në Gjykaën e Tiranës, ku është njohur me masën e vendosur në mungesë “arrest me burg”. Ai ka shprehur pendesë për ngjarjen e rëndë që i mori jetën të riut Jurgen Duka, i cili u qëllua me armë pas grindjes me oficerin në supermarket.
Me kokë të ulur duke dashur ti shmanget kamerave, ish- efektivi i policisë në Dibër, Arbër Sula, doli në gjykatë në seancën për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, për vrasjen e Jurgen Dukës më 14 dhjetor të vitit të kaluar.
Gjykata e Tiranës, ka lënë të pandryshuar vendimin e dhënë në mungesë ndaj të pandehurit, i cili qëndroi për disa muaj në arrati dhe më pas vetëdorëzua në policinë e kryeqytetit.
Në gjendje të rënduar psikologjike, Sula ka shprehur pendesë për ngjarjen e rëndë, ndërsa avokati i tij duke interpretuar edhe pamjet filmike të kamerave te sigurise në dyqanin ku ndodhi krimi, ka deklaruar se ka qenë viktima me shokët e tij, ata që kanë nisur të parët grindjen që përfundoi me ngjarjen fatale.
Ish-polici Arbër Sula u vetëdorëzua në Komisariatin Nr. 2 të Tiranës, dhe pretendon se një veprim të tillë e ndërmori pas komunikimeve të vazhdueshme me familjen, ndërsa këtë të fundit, forcat e rendit e kishin kontaktuar shpesh për ta bindur Sulën të vetëdorëzohej.
Ish-efektivi qëlloi mbi Dukën me armën e shërbimit, teksa ishte jashtë orarit zyrtar të punës dhe i veshur civil.
Ngjarja ndodhi në një market në rrugën “Irfan Tomini” dhjetorin e kaluar.

