Garë shpejtësie dhe manovra të rrezikshme në autostradën Tiranë-Durrës, policia gjobit drejtuesin dhe i merr "BMW-në"

Policia Rrugore ka bllokuar një makinë dhe ka gjobitur me 40 mijë lekë gjobë pronarin për një incident në autostradën Tiranë-Durrës.

Ngjarja në fjalë u bë publike në rrjetet sociale. Me 23 shkurt u publikua një video e një mjeti  tip "BMW" ku drejtuesi i mjetit bënte manovra të rrezikshme dhe gara shpejtësie në autostradën Tiranë-Durrës, duke rrezikuar veten dhe përdoruesit e tjerë të rrugës.

Falë punës intensive të mirë organizuar u bë e mundur gjetja dhe ndalimi i mjetit së bashku me drejtuesin e mjetit, shtetasin L. G.

Për kundërvajtjen e kryer ndaj drejtuesit të mjetit u vendos masa administrative me vlerë 40000 lekë si dhe u mor masa e bllokimit për automjetin.

Gjithashtu, gjatë 72 orëve të fundit, janë evidentuar e ndëshkuar me nga 40.000 lekë të rinj edhe 14 drejtues mjetesh që kryenin gara shpejtësie e manovra të rrezikshme në rrugë.

Policia Rrugore e Tiranës apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës për zbatim me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët, që të denoncojnë në 112 e  Komisariatin Dixhital çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.