"Shtëpia e barit" në Vlorë, arrestohen 3 punonjës të OSHEE. Rrapaj thotë se banesa është e kushëririt
Shkon në katër numri i të arrestuarve për shtëpinë e barit në Vlorë që u zbulua një ditë më parë.
Në pranga kanë rënë dy elektriçistë dhe një faturist në OSHEE Vlorë.
"U arrestuan E. E., 33 vjeç, E. M., 32 vjeç, banues në Vlorë, me detyrë elektricistë pranë OSHEE Vlorë, dhe M. Rr., 33 vjeç, banues në Vlorë, me detyrë faturist pranë OSHEE Vlorë, për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”njoftoi policia e Vlorës.
Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi në zonën që ata kishin në monitorim, nuk kanë konstatuar lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike në banesën në përdorim nga shtetasi Arnes Rrapaj, e cila ishte përshtatur si ambient për kultivimin e bimëve narkotike cannabis sativa në kushte laboratorike.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Krahas punonjësve të OSHEE që nuk raportuan mendohet se ka edhe përgjegjë të tjerë.
Në dëshminë e tij në komisariat i arrestuari në flagrancë Arnest Rrapaj ka treguar se banesa ishte e një kushëriri të tij, që jeton jashtë shtetit dhe ja kishte lënë për tu kujdesur ndërkohë që ishte kthyer në shtëpi bari.
Burimet e bluve të Vlorës tregojnë se Arnest Rrapaj mund të këtë dhënë në dëshminë e tij në komisariat disa detaje që ti ndihmojnë hetuesit për të gjetur personat e tjerë të përfshirë por që gjithçka pritet të konfirmohet pasi blutë e Vlorës rreth dëshmisë se tij në komisariat mbeten të rezervuar në dhënien e detajeve.
