Rama: Po ndërtojmë një sistem drejtësie për herë të parë në historinë e Shqipërisë
Gjatë një takimi me të rinj në Lushnje kryeministri Edi Rama u ndal të reforma në drejtësi. Kryeministri tha se sistemi i drejtësisë po ndërtohet për herë të parë në historinë e këtij vendi. Sipas tij, 3 mandate qeverisëse janë shumë pak në raport me shtet-bërjen dhe me ndërtimin e një sistemi drejtësie.
Rama: Ne po ndërtojmë një sistem drejtësie për herë të parë në historinë e këtij vendi. Nuk ka pasur ky vend sistem drejtësie serioz asnjëherë. Kur e ka pasur? Në kohën e komunizmit e kishte për punët e partisë, të regjimit. Përpara çfarë ka pasur? Kështu që flasim për të ngritur një sistem që bota që ne shohim e ka pasur në këmbë dhe e ka pasur funksional kur ne nuk ekzistonim si shtet. Dy mandate nuk janë pak dhe tre tani për një gjeneratë qeverisëse, por janë shumë pak si vite, si kohë në raport me shtet-bërjen dhe me ndërtimin e një sistemi drejtësie sidomos që është shtylla kurrizore e shtetit.
