Hetimi për incineratorët, Zhupa në Ora News: Do ketë arrestime të tjera, ndoshta pa nxjerrë raportin

Komisioni Hetimor Parlamentar për incineratorët duket se do të dalë me dy raporte, njëri nga opozita që fajëson qeverinë dhe tjetri nga mazhoranca që nuk sheh shkelje në këtë çështje. 

7 marsi do të jetë data finale ku do të vendoset nëse opozita dhe mazhoranca do të kenë pika të përbashkëta për hetimin e bërë për incineratorët.

Deputetja, Ina Zhupa, anëtare e komisionit që bëri jo pak "zhurmë" në përballjen e saj me kryeministrin Rama, paralajmëron arrestime të tjera për këtë aferë, ndoshta dhe para daljes së raportit.

Zhupa: Në këtë rast asnjë manovër nuk shërben sepse shkelja e ligjit është aq bërtitëse sa mund ta shikojë kushdo. Sado ta ngadalësojnë procesin nuk mundet dot që para një elefanti, korrupsioni kaq galopant, të mbyllin sytë. Do ketë arrestime, të jeni të sigurt se në këto ditë, ndoshta pa nxjerrë në raportin përfundimtar do të ketë arrestime të tjera. Aty janë bërë shkelje të mëdha, shpërdorim detyre, dëm financiar. Nuk ka asnjë mënyrë që të shmangen përgjegjësitë, të paktën një rreth që ka firmosur këto procedura.

Për Ora News në një intervistë me gazetarin Everest Dedaj, ajo thotë se "duhet të jemi të qetë dhe të presim zhvillimet në ditët në vijim sepse një aferë e tillë nuk mbulohet dot, është si të kërkosh të mbulosh diellin me shoshë".

Sa i takon hetimeve të Komisionit, Zhupa thotë se ato e dhanë efektin e tyre që në nisje, me arrestimin e ish-ministrit Koka.

Zhupa: Komisioni ka arritur gjëra dhe pa u mbyllur. Gjatë punimeve të Komisionit është arrestuar ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka. Ju garantoj se ai nuk është arrestimi i vetëm. Ju garantoj se produkti final i këtij komisioni nuk është thjesht raporti për ti evidentuar çdo shqiptari shkeljet, raporti i opozitës se me siguri mazhoranca me një raport tjetër do të bëjë çdo gjë për tu garantuar mbrojtjen politike.

Por ne siç e kemi bërë dhe më parë me padinë tonë në SPAK, do të çojmë çdo provë, deklaratë, dëshmi, dokument që kemi administruar dhe mendojmë se do ti shërbejë organit të akuzës për të vënë para drejtësisë ata zyrtarë të lartë që janë tashmë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që i ka bërë një dëm të madh Shqipërisë dhe shqiptarëve me një faturë financiare 430 milion euro.