Lufta kërkon "trima", Ushtria shqiptare hap tender 15 mijë euro për medaljet në ushtri

Në nisjen e përplasjes ushtarake në Ukrainë, Shqipëria ka vlerësuar se nuk ka më medalje trimërie për ushtarët e saj. Për këtë qëllim është hapur tenderi që do të ketë një kosto prej 15 mijë euro.

Teksa lufta ka shpërthyer në Ukrainë, ku ushtria ruse ka pushuar disa territore të këtij shteti dhe përparon drejt kryeqytetit Kiev, vendet anëtare të NATO-s, përfshirë dhe Shqipërinë, kanë rritur ndjeshëm masat e sigurisë dhe gadishmërisë së ushtrisë.

Shqipëria është treguar e gatshme të ndihmojë Ukrainën, dhe këtë po e bënë duke u këshilluar edhe me vendet aleate.

Ndërsa vetë strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, në kuadër të masave të marra, kanë hapur dhe një tender për blerjen e dekoratave për ushtarakët tanë, që do marrin pjesë në veprime ushtarake apo qoftë dhe veprime të tjera humanitare si brenda dhe jashtë vendit.

Një burim pranë Ministrisë së Mbrojtjes tha për “Ora News”, se gjendja e dekoratave në dikasterin e Mbrojtjes, ka qëenë e ulët dhe se prej datës së djeshme, Ministria ka lejuar hapjen e procedurës për blerjen e 385 medaljeve të ndryshme.

Sipas dokumentave rezulton se Ministria e Mbrojtjes ka porositur 14 medalje të ndryshme dhe dhjetëra certifikata.

Medaljet për ushtarakët shqiptarë do prodhohen në një sasi prej 385 copë.

Ndërsa vlera financiare e çdo medalje shkon tek 4 mijë e 800 lekë ose 39 euro për një medalje.

I gjithë tenderi për këtë shërbim shkon tek 15 mijë euro, ndërsa pritet që kjo procedurë të mbyllet në datën 7 Mars, kur në vazhdim do shpallet dhe fituesi.

Në dokumentacion rezulton se medalja që kërkohet të prodhohet më shumë nga Ministria e Mbrojtjes është ajo për “Shërbime të Veçanta”, duke kërkuar që kjo medalje të jetë në 92 copë.

Ndërsa më pas vjen “Medalja e Luftëtarit” me 80 copë e duke vijuar me “Medaljen e Shërbimeve të Shquara” me 36 copë.

Por medalja më pak e kërkuar të prodhohet nga Ministria e Mbrojtjes është ajo e Trimërisë me 4 copë dhe “Medalja e Karrierës” me 3 copë.