"Shtëpi bari" tek ish-Parku në Tiranë, gjenden bllokues valësh e dedektor GPS

Banesat e përshtatura për kultivim kanabisi duket se janë kthyer në një fenomen në shqipëri. Dy persona u arrestuan nga policia e Tiranës pas zbulimit të bimëve narkotike brenda një banese në zonën e ish-parkut. Organizatori i këtij aktiviteti mbante bllokues valësh dhe pajisje lokalizuese në shtëpinë ku kultivohej kanabisi ndërkohë që në pranga ra edhe një i afërm i Endrit Zelës, i cili ndodhet në burg.

Një tjetër banesë e përshtatur për kultivim kanabisi është zbuluar nga policia e Tiranës e cila ka vënë në pranga dy persona.

Burimet zyrtare thanë se gjatë operacionit policor të koduar "Ndërveprimi", u arrestuan dy persona ndërsa u sekuestrua një shumë e madhe parash, pajisje për kultivimin e kanabisit, bimë dhe lëndë narkotike, radio si të policisë dhe sende të tjera.

Efektivat e Komisariatit të Policisë Nr. 2, kanë vënë në pranga shtetasit Alban.K, 38 vjeç, si dhe 23-vjeçari L.Zela, i afërm i shtetasit Endrit Zela, i cili ndodhet në burg.

Policia bëri të ditur se 38-vjeçari  Alban.K u arrestua në banesën e tij e cila ishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur dhe sekuestruar vazo me fidanë kanabis të kultivuara në to, 31 llamba elektrike, një sasi rreth 140 gramë lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa, e cila ishte e ambalazhuar në 7 kavanozë qelqi të përmasave të ndryshme, një radio si ato që përdoren nga Policia, një bllokues valësh dhe një detektor për kërkimin e GPS.

Operacioni ka vijuar për goditjen e veprimtarisë së shpërndarjes së lëndëve narkotike ku është vënë në pranga edhe shtetasi L.Zela, i akuzuar për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".

Policia tha se ky shtetas shpërndante lëndë narkotike në zonën e ish-Parkut në Tiranë.

Gjatë kontrollit të banesës së tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale sasi lënde të dyshuar narkotike të llojit cannabis sativa, e ndarë në doza gati për shitje, 4 kavanozë qelqi me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, një peshore elektronike, një përforcues grushti, sasi farash të dyshuara narkotike cannabis sativa dhe shumat 11150 euro dhe 11.000 paund.