Kandidati i Berishës në Lushnje nuk njeh Sefën e Bashës: Përballë kam vetëm Ballën
Më 6 mars, Lushnja është 1 nga 6 bashkitë e vendit që do t'i nënshtrohet procesit të zgjedhjeve të pjesshme lokale.
Në garë janë Elton Bano i "Shtëpisë së Lirisë", Eriselda Sefa e PS, aktualisht kryetare e komanduar dhe Indrit Sefa i PD-së.
Kandidati i "Shtëpisë së Lirisë", Elton Bano në një intervistë në RTV Ora me gazetaren Beti Njuma u shpreh se përballë shikon vetëm një kandidat, ata që e kanë braktisur Lushnjen për vite të tëra duke mos e njohur kështu kandidatin e Lulzim Bashës.
Bano: Me arrogancën e tyre, me shpërfilljen e tyre dhe kjo është PS që ka pasur drejtimin për 14 vite me radhë apo më shumë.
Mazhoranca u akuzua për blerje votash në zgjedhjet e 25 prillit. Sipas zotit Bano, mazhoranca ka filluar presionin mbi administratë edhe për këto zgjedhje.
Bano: Kanë kohë që kanë filluar sepse e ndjejnë që qytetarët lushnjarë i kanë braktisur dhe nuk janë më me ta. Qytetarët lushnjarë duan ndryshimin dhe kjo do të arrihet më 6 mars.
Sipas tij problemet në qytetin e Lushnjes janë të shumta.
Bano: Kryesorja ka qenë arroganca dhe mbyllja e dyerve të bashkisë për vite me radhë. Socialistët e kanë parë Lushnjen si hambar votash dhe nuk i kanë kthyer më sytë t'i shërbejnë njerëzve.
Bano shtoi se qytetarët janë të vetëdijshëm që kundërshtarët, duke ju referuar kampit socialiste, dinë vetëm të gënjejnë dhe të mashtrojnë.
Bano: Ata nuk kanë ditur të mbajnë premtime minimale, të jenë pranë qytetarëve. Gjithsesi ata e kanë bazuar fushatën e tyre në faktin që ata janë dy dhe do fitojnë.
Por ku kanë shkuar fondet që jep qeveria?
Bano: 60% e buxheti përdoret për shpenzime, është shumë e lartë. Do ulim shpenzimet e bashkisë dhe këto para t'i çojmë për qytetin dhe investime.
Ka pasur akuza që Taulant Balla po bën fushatë për PD më Lushnje.
Bano tha se si kundërshtar shikon vetëm zotin Balla.
Bano: Unë përballë shikoj Taulantin si kundërshtar, por Taulanti gabon sepse nuk e njeh Lushnjen. Është i ri në qytetin tonë, do ta kuptojë në datën 6 mars se çfarë do të thotë të gënjesh lushnjarët. Taulanti dhe Taulantët e tjerë të shkojnë dhe të gënjejnë aty ku janë mësuar. Janë bërë si bisha duke bërë presion te buka e gojës, te ndihma sociale, te administrata, drejtorët e shkollave i mbledhin i bëjnë presion. Këtu gjej rastin t'i bëj thirrje gjithë administratës që me marrjen e bashkisë jo vetëm që nuk do përjashtohen nga ndihma sociale, pro do përpiqemi ta shtojmë atë listë dhe të jemi pranë banorëve.
Në përfundim Bano i bëri thirrje demokratëve që të bashkohen të gjithë për t'i ktheyr Lushnjes shkëlqimin.