Tjetër skandal me koncesionin e mbetjeve në Elbasan, opozita: Incineratori mori 6 milion euro më shumë

Komisioni Hetimor i incineratorëve ka nxjerrë zbuluar skandale të tjera. Jo vetëm që gjithë shteti nxitoi që brenda pak ditësh të miratojë koncesionet, por kompania në Elbasan ka marrë 6 milionë euro mbi kontratë. Për të kundërshtuar opozitën, mazhoranca theksoi domosdoshmërinë për pastrimin e mbetjeve.

Pas denoncimit të incineratorit të Fierit, i cili edhe pse jashtë afateve ende nuk ka nisur të punojë, opozita denoncoi në komisionin hetimor edhe kontratën e Elbasanit.

Luçiano Boçi konstatoi një sërë shkeljesh që sipas tij tregojnë nxitim por edhe shkelje të ligjit.

Madje vetëm pak ditë pasi u propozua projekti, Këshilli i bashkisë së Elbasanit vendosi të shpallë emergjencën mjedisore.

"Situata e emergjëncës nuk pret, ky është çelësi magjik, shkrepësja që i vuri zjarrin për të kapërcyer ligjin dhe vënë në pozitë antiligjore dhe vetë komisionin, i cili e pranon se duhen procedura të gjata."

Nga ana tjetër deputeti Lefter Gështenja deklaron se janë paguar miliona euro më shumë se kontrata.

"Vlera e likujduar për këtë draft-kontratë, është mbi 6 mln euro diferenca."

Deputetët e mazhorancës nga ana e tyre sollën në vëmendje nevojën për pastrimin e mbetjeve, por dhe argumentuan vendimet e pushtetit vendor.

"Para këtij momenti, dikush do t'ju kishte ptyetur se cili qytet është më i ndotur në Republikën e Shqipërisë dhe padyshim që do të kishit thënë Elbasani."

Këto deklarata sollën jo pak debate në seancë.

"Ke një ves shumë të keq që nuk dëgjon."

"Mos gënje sy për sy."

Megjithatë javën e ardhshme para deputetëve dotë paraqiten edhe zyrtarët e tre incineratorëve, për të cilët tre persona janë në kërkim ndërkombëtar.

"Jam shumë e interesuar të vi dhe unë se kam qenë zëvendëskryetare Bashkie".