Berisha në Lushnje kërkon votën për kandidatin e “Shtëpisë së Lirisë”: 6 marsi një moment jetik
Nga Lushnja ku është duke prezantuar kandidatin e “Shtëpisë së Lirisë”, Elton Bano ish-kryeministri Sali Berisha tha se demokratët duhet ta votojnë kandidatin e tyre.
Ai tha se votimet e 6 marsit duhet të shënojnë një moment që është më jetiku sot për çdo shqiptar që do të jetojë në këtë vend, për çdo qytetar të Lushnjes dhe mbarë Shqipërisë.
Berisha shtoi se Shqipëria ka nevojë për ndryshim dhe se një gjë e tillë është e nevojshme për shqiptarët aq sa është ajri për zogjtë që fluturojnë.
Berisha: Kandidati jonë për bashkinë e Lushnjes, njëri prej djemve të këtij qyteti, pasardhës i një familje që ju e njihni të gjithë, intelektual dhe qytetar që mëshiron vlerat dhe virtytet tuaja shpirtërore. Jemi në një fushatë të pjesshme lokale, por rëndësia e saj është shumë herë më e madhe se sa fushata e zakonshme në 6 rrethe apo 6 bashki të vendit. Kjo fushatë, këto votime duhet të shënojnë atë moment që është më jetik sot për çdo shqiptar që do të jetojë në këtë vend, për çdo qytetar të Lushnjes dhe mbarë Shqipërisë. Duhet të shënojmë ndryshimin. Shqipëria ka nevojë për votën tuaj që të firmosni ndryshimin. Ndryshimi është i nevojshëm për shqiptarët aq sa është ajri për zogjtë që fluturojnë. Ne duhet të fluturojmë, ne duhet të ecim shpejt.


