Video e operacionit "Trinomi" në Elbasan: Porositë që çoheshin e dilnin nga burgu. Sekuestrohen 4 mln lekë

Drejtoria e policisë së Elbasanit në krah të prokurorit të Prokurorisë së Elbasanit dolën në një konferencë për median për të dhënë detaje lidhur me megaoperacionin e koduar “Trinom” që çoi në arrestimin e 28 personave, mes tyre zyrtarë burgjesh, të burgosur dhe tregtarë të cilët kishin biznesin e tyre brenda apo afër institucioneve të vuajtjes së dënimit.

“Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me punonjësit e sistemit të burgjeve, merrnin dhe transmetonin porosi të cilat cenojnë rëndë sigurinë e burgjeve, por dhe sigurinë kombëtare, si he në disa raste furnizonin me lëndë narkotike dhe sende të tjera të ndaluara, të dënuarit apo të paraburgosurit.

Gjithashtu, këta shtetas cenonin rëndë rregulloren e brendshme të funksionimit të institucioneve në burgje. Të gjitha këto veprime kryheshin kundrejt përfitimeve, duke shpërdoruar detyrën apo me anë të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj zyrtarëve që ushtrojnë funksione publike” informoi sot policia.

Gjatë kryerjes së veprimeve hetimore e proceduriale dhe ekzekutimit të vendimeve të Gjykatës për masat e sigurisë për personat e implikuar në vepra të ndryshme penale, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 4 milionë lekë të rinj, një pistoletë tip “Glock”, si dhe sende e prova të tjera të cilat i shërbejnë hetimit.

Hetimet janë në proces dhe po hetohet në lidhje me impaktin e tyre në procedime apo ngjarje të tjera pa autor.

Bashkëpunimi institucional, shkëmbimi i informacionit dhe hetimet proaktive në veçanti, do të jenë edhe në të ardhmenkryefjala e përbashkët e  Policisë dhe agjencive ligjzbatuese, me qëllim goditjen e veprimtarive kriminale, parandalimin e krimeve të rënda, hetimin e grumbullimin e provave për ngjarjet e vjetra pa autorë, si misioni kryesor i këtyre institucioneve për sigurimin e qetësisë publike në juridiksionin e qarkut të Elbasanit.