Meta në dorë të Gjykatës Kushtetuese, pas 10 orësh debat seanca shtyhet edhe për dy ditë
Gjykata Kushtetuese ka shtyrë për të enjten seancën për shqyrtimin e shkarkimit të Presidentit Ilir Meta. Burime bëjnë me dije se seanca do të nisë në orën 10:00.
Seanca për shkarkimin e Metës nisi ditën e sotme në orën 10:00 ku dhe u shoqërua me debate të shumta dhe zgjati për gati 10 orë, megjithatë seanca është shtyrë.
Shumica socialiste e akuzon Presidentin për shkelje të rënda të Kushtetutës dhe se u përfshi duke u bërë palë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Maxhoranca kërkon shkarkimin e Ilir Metës nga posti i Kreut të Shtetit para përfundimit të mandatit të tij të plotë 5 vjeçar. Seanca është publike.
Ngjarja orë pas ore:
Ora 19:08 - Shtyhet për 3 shkurt seanca
Beteja ligjore në Gjykatë Kushtetuese vijon të enjten. Dervishaj: Nuk ka shkarkim të Ilir Metës
Gjykata Kushtetuese ka shtyrë seancën për të enjten për shqyrtimin e shkarkimit të Metës.
Seanca do të nisë në orën 10:00.
Kërkesa për shtyrjen e seancës është bërë nga përfaqësuesi ligjor i Presidencës, Bledar Dervishaj, i cili kërkoi që kreu i shtetit të njihet me përgjigjet e ardhura nga Kuvendi i Shqipërisë.
Ora 18:23 - Shkarkimi i Metës, debate në Kushtetuese, Dervishaj kundërshton përfaqësuesin e Kuvendit
Ora 17:45 - Autorizohet eksperti
Kuvendi autorizon ekspertin Erind Merkuri për te përfaqësuar këtë institucion në seancën e Kushtetueses për shkarkimin e Metës.
Bledar Dervishaj: Mërkuri ka qenë ekspert në komisionin hetimor. Kjo paraqet shqetësim për ne. I vë vulën, shkeljes se kushtetutës dhe paanshmërisë. Ta vlerësojë Gjykata.
Klotilda Bushka: Erind Mërkuri ka qenë ekspert për çështjet e të drejtës. Nuk ka shprehur mendime personale gjate punës së komisionit
Ora 15:20 - Dy ore kohe
Është ndërprerë seanca për shkarkimin e presidentit Ilir Meta në gjykatën Kushtetuese, pasi mazhoranca kërkon dy orë kohë.
Ndërkohë është rrëzuar kërkesa e presidencës për t’u shtyrë me një ditë seanca.Seanca për shkarkimin e presidentit Ilir Meta është shtyrë për të rinisur pas dy orësh, në orën 17:30 pas 70 pyetjeve të trupës gjykuese dhe përfaqësuesve të presidencës.
Ishin deputetët Balla dhe Bushka që kërkuan më kohë për t’ju përgjigjur 30 pyetjeve të Gjykatës Kushtetuese
Bushka: Kemi nevojë për 2 orë kohë për tu përgjigjur pyetjeve me shkrim.
Ora 12:49 - Rrëzohen 2 kërkesat e para të Metës
Presidenti përmes përfaqësuesit të tij ligjor paraqiti deri tani 3 kërkesa parapake nga të cilat dy u rrëzuan nga Gjykata Kushtetuese.
Seanca po ndiqet nga gazetarja e Ora News Fjorela Beleshi.
Kërkesa e parë - Presidenti kërkon dorëheqjen e tre anëtarëve të gjykatës Kushtetuese. Presidenti kërkoi dorëheqjen e gjyqtarëve Vitore Tusha, Përparim Kalo dhe Fjona Papajorgji. Kërkesën presidenca e argumenton se u ka përfunduar mandati dhe në këtë mënyrë cënon paanësinë e vendimit.
Kërkesa e dytë - Presidenca kërkon dorëheqjen e 7 anëtarëve të gjykatës nga shqyrtimi pasi ka konflikt interesi për disa prej tyre.
"Për shkak të ekzistencës së disa shkaqeve që krijojnë bindjen se, vënë në dyshim paanshmërinë e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese në këtë gjykim me objekt, shqyrtimin e vendimit nr. 55/2021 të Kuvendit të Shqipërisë “Për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë ‘Për shkelje të rënda të Kushtetutës” thuhet në kërkesën e presidencës.
Zoti Dervishaj renditi një seri faktesh dhe rrethanash që, sipas tij, vënë në dyshim paanësinë e trupës gjykuese dhe gjykimin me objektivitet të çështjes.
“Presidenti ka humbur tërësisht besimin te kjo trupë, e cila nuk garanton procesin e rregullt ligjor dhe as paanshmërinë e saj”, - u shpreh zoti Dervishaj, duke saktësuar që nëse kërkesa për dorëheqje nuk do të merrej në konsideratë, atëherë ai kërkonte përjashtimin e të gjithë trupës.
Përfaqësuesja e parlamentit, si palë në proces, e konsideroi “abuzive” kërkesën e përfaqësuesit të Kreut të Shtetit, duke theksuar se qëllimi i vetëm sipas saj, është zvarritja e procesit. Ajo kërkoi rrëzimin e kërkesës.
Bushka: Abuzive kërkesa e Presidentit për përjashtimin e gjyqtares Papajorgji. Kërkesat që lidhen me çështjet e shortit apo afatet 3 mujore përcaktohen në ligjin e Gjykatës Kushtetuese. Janë çështje organizative
Për ne si kërkues nuk ka shkelje ne afat. Ne nuk shohim që ky afat të ketë ndonjë ndikim dhe cenim në proces. Janë argumente abuzive që ky proces të zgjatet akoma.
Pas kësaj trupa e gjyqtarëve u tërhoq për të marrë vendim lidhur më kërkesën e presidentit.
Vendimi: Pas një ore që u tërhoq për vendim gjykata Kushtetuese rrëzoi dy kërkesat. Asnjë nga 7 anëtarët nuk japin dorëheqjen, pais asnjë nuk është në konflikt interesi. Ndërsa çështja e relatorit është vendim administrativ.
Kërkesa 3 - Përjashtimi i përfaqësuesve të Kuvendit.
Përfaqësuesja tjetër ligjore e Presidentit, Katrina Treska kërkoi nga gjykata të mos legjitimojë përfaqësuesit e Kuvendit. Ajo tha se legjislatës së 9-të i ka përfunduar mandati më 9 shtator dhe Gjykata Kushtetuese duhet të marrë një vullnet paraprak të Kuvendit të ri. Duke ngritur pyetjen se me çfarë akti janë përfaqësuesit e Kuvendit të pranishëm në këtë sallë.
“Janë kaluar të gjitha afatet dhe nuk përfaqëson vullnetin e parlamentit sot. Sipas kushtetutës ky vendim do të duhet nga Parlamenti i sotëm që te kete fuqi juridike. Gjykata Kushtetuese të mos legjitimojë këtë shkelje të përfaqësuesve të parlamentit” tha Treska.
Por nga ana e saj Klotilda Bushka përfaqësuesja e Kuvendit argumentoi se ishte pa kuptim “Nëse çdo vendim qe merr legjislatura e vjetër mos të njihet nga i riu çon në një kaos juridik”
Tërhiqet për vendim - Gjykata është tërhequr për vendim.
Kërkesa e 4 - Ka të bëjë me ligjin organik të presidentit. Kjo kërkesë paraprake ende nuk është shqyrtuar
Që pas qëndrimit të Gjykatës Kushtetuese, për të mos u shprehur me një vendim lidhur me zgjedhjet vendore të 30 qershorit, “për moskompetencë” në trajtimin e një çështjeje të tillë, ai ka shprehur haptazi mosbesimin ndaj trupës së kësaj Gjykate.
Javën e shkuar Kreu i Shtetit i kërkoi zyrtarisht Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, nisjen e një procedimi disiplinor ndaj anëtares Fiona Papajorgji, duke ngritur dyshime për “shkelje të procedurave ligjore” për caktimin e saj si relatore e çështjes, si dhe duke e akuzuar se kishte shmangur pyetjet e ngritura nga Shoqata e Bashkive, në kërkesën për Opinion drejtuar Komisionit të Venecias.

