Rikthehet bora. Bllokohet sërish ruga e Arbrit, ja ku devijohet qarkullimi

Prej orëve të para të mëngjesit të sotëm qarku i Dibrës është përfshirë nga reshje të dendura dëbore dhe për këtë shkak, rruga e Arbrit ,  bypass- Qafë Murrizë, është  bllokuar dhe kontraktorët po punojnë për hapjen e saj.

Si rrjedhojë Policia Rrugore apelon  të gjithë drejtuesit e mjeteve që lëvizin në drejtim të Tiranës dhe anasjelltas nëpërmjet bypass- Qafë Murrizë,   të ndjekin aksin  rrugor Klos-Burrel-Ulëz, dhe të mos shkaktojnë trafik.

Akset rrugore kryesore Bulqizë-Peshkopi; Bulqizë-Klos;  janë të kalueshme,  drejtuesit të mos qarkullojnë pa goma dimërore dhe të jenë të pajisur me mjetet antirrëshqitëse.

Policia e Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar në drejtimin e mjetit,  të shmangin lëvizjet e panevojshme, të moderojnë shpejtësinë dhe të mos bëjnë manovra të rrezikshme në rrugë.

"Në rast nevoje për ndihmë, telefononi në numrin 112 ose dërgoni njoftim në Komisariatin Dixhital", njofton policia rrugore.