"Ora News vendi i mundësive, shkollë për të gjithë" Stafi: Kemi ardhur nga 0, mësuam çdo gjë këtu

Radio televizioni RTV Ora dhe Ora News ka nisur transmetimin para 15 vitesh. Nga një grup i vogël tashmë familja e Orës është zgjeruar, duke i dhënë mundësi shumë të rinjve të rriten në  karrierë.

Në 15 vjetorin e televizionit në studion e emisionit "Ditë e Re" përgjegjësi dhe tekniku i transmetimit, Fatjon Bregu thotë se Ora News është bërë media, e cila ka ndihmuar shumë të rinj e të reja të mësojnë profesionin e gazetarit, montazhierit dhe të arrijnë suksese.

"Të gjithë kanë ardhur nga 0 dhe kanë arritur shumë tani", thotë Bregu.

Të njëjtën gjë pohon edhe regjisori i RTV Ora, Erind Pasmaçiu, i cili është pjesë e televizionit që prej 14 vitesh. Ai thotë se Ora ka qenë  dhe është një shkollë për të gjithë.

Pasmaçiu: Ora ka qenë si shkollë për ne. Kemi mësuar shumë persona që sot janë në media tjera. Kam pasur nderin të mësoja me Besmir Vranën. Ai më futi në rrugën e teknikës. Pastaj ishte vetë rrugëtimi që të mësonte.

Edhe regjisorja e RTV Ora, Luisjana Meçani, pohon se në fillimet e saj, para 10 vitesh, ajo nuk dinte asgjë dhe se çdo gjë e mësoi gjatë punës.

Luisjana Meçani: Kam 10 vite këtu. Kam ardhur nga 0, nuk dija asgjë, por çdo gjë e mëson, me kalimin e kohës duket më  e thjeshtë. Më kanë pritur shumë mirë në fillim kur kam ardhur, edhe pse transmetimi ishte me çuna. Isha goca e parë aty. 10 vite kanë iku shumë shpejt. Është gjë shumë e bukur.

Frymëzues është edhe rrugëtimi i teknikut të transmetimit audio, Xhulio Husha, i cili brenda 4 vitesh në familjen e Orës ka arritur të ketë nën drejtimin e tij regjinë e një emisioni.

Xhulio Husha: Tani bëj katër vite që jam teknik transmetimi. Erdha 0 profesionalisht dhe tani kam mësuar nga Fatjoni, Erindi dhe nga Lusi.Tashmë kam pothuajse gati emisionin tim këtu në regji. Më erdhi si një mundësi, e shfrytëzova në maksimum. Kolegët të japin shumë dorë për tu ngritur. Është vendi i mundësive, i falënderoj të gjithë sepse jam ndjerë si në shtëpi.