Tritoli te Duka "pa motiv", një javë pas sulmit ndaj kreut të FSHF s'dihet arsyeja

Një javë pas sulmit me tritol në hyrje të banesës së Presidentit të FSHF Armand Duka, policia dhe Prokuroria e Durrësit kanë ndaluar një person të dyshuar por ende nuk kanë zbardhur motivin e ngjarjes.

34-vjeçari Arlen Hasanaj u la në burg pa afat nga Gjykata në një seancë me debate të forta pasi avokati Ilia Ilia, paraqiti video nga kamerat e sigurisë.

Videot tregonin se klienti i tij ndodhej në një qendër tregtare mbrëmjen ku ndodhi ngjarja dhe më pas ka udhëtuar drejt Durrësit, ku mjeti i tij është fiksuar nga kamerat e rrugëve të qytetit.

Prokuroria kërkoi masën e arrestit me burg duke e bazuar në dy prova kryesore, e para është një plagë në dorën e 34-vjeçar që banon në të njëjtën zonë me presidentin e FSHF-së.

Dëmtimi sipas prokurorisë mund të jetë krijuar në momentin e ndezjes së fitilit.

I arrestuari ka si alibi faktin se dëmtimi nuk ka lidhje me ngjarjen dhe për këtë arsye është vendosur të kryhet një ekzaminim mjeko-ligjor i dorës por edhe i rrobave që ai kishte veshur ditën e arrestimit për të parë nëse ka prani baruti.

Prova e dytë e prokurorisë lidhet me kamerat e sigurisë ku pretendohet se prania e 34-vjeçarit në një ambient të survejuar, ka qenë pikërisht për të pasur një alibi.

Me gjithë këto dyshime të prokurorisë deri më tani, si kreu i FSHF por edhe nga vetë i arrestuari si autor i ngjarjes i cili ka në pronësi një biznes kanë pohuar se nuk e njohin njëri-tjetrin dhe se nuk kanë pasur probleme qoftë familjare apo edhe për detyrën.