Ditëlindja kthehet në mort/ Pas përplasjes makina përfundon në Shkumbin. Vdes çifti e një 18 vjeçar, djali i tyre 10 vjeç në spital

Udhëtimi drejt Korçës për të festuar një ditëlindje përfundoi në tragjedi për në familje nga Kukësi. Tre persona humbën jetën dhe dy të tjerë, mes të cilëve një fëmijë 10 vjeç mbetën të plagosur rëndë. Makina me të cilën ata udhëtonin doli nga rruga dhe përfundoi në lumin Shkumbin pranë vendit të quajtur Kthesat e Murrasit.

Tre persona humbën jetën pasi makina me të cilën udhëtonin doli nga rruga dhe ra në lumin Shkumbin, pranë vendit të quajtur Kthesa e Murrashit në Librazhd.

Dy të tjerë mes tyre një djalë 10 vjeç mbeti i plagosur rëndë.  

Ishte ora 09:10 minuta, 1 shkurt 2022, kur makina në të cilën udhëtonin 5 persona doli nga rruga dhe përfundoi në lumin Shkumbin.

"Automjeti tip "Ford", me drejtues Sajmir Gjuzin 32 vjeç, banues në fshatin Floq, Librazhd, është përplasur me mjetin tip "Benz", i cili ka dalë nga rruga dhe ka rënë në lumin Shkumbin"  informoi policia e Elbasanit mesditën e sotme.

Viktima mbetën bashkëshortët nga Kukësi Elona, 34 vjeçe dhe Elmi Keqa,  52 vjeç. Dhe bashkë me ta humbi jetën edhe Elis Sulmataj 18-vjeç. 

"Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve dhe të punonjësve të Policisë, në kushte shumë të vështira, pas disa orësh u bë e mundur që të nxirren pa jetë nga mjeti që kishte rënë në mes të lumit të 52 vjeçarit, 34 vjeçares dhe 18 vjeçarit, vijon policia.

Trupin e pajetë të njërit prej tyre e mori rrjedha e lumit në momentin kur forcat e shpëtimit ndërhynë me një fadromë për të lëvizur makinën dhe u gjet pas disa minutave kërkime.

Djali 10 vjeçar i çiftit që humbi jetën u nxorr në gjendje të rëndë nga banorët e zonës që ndërhynë të parët.

Ai u soll në gjendje kome për trajtim të Specializuar në Tiranë.

E mbijetuar e tragjedisë në Shkumbin është edhe 20 vjeçarja Ambra Halili e cila po ashtu është nën trajtim mjekësor.

Ditelindja u kthye në mort

Anëtaret e familjes nga Kukësi po udhëtonin drejt Korçës ku sipas burimeve do të festonin një ditëlindje, por aksidenti e kthye festën në tragjedi.

Në këtë pikë të rrugës, makina me të cilën udhëtonin u përplas me një tjetër mjet dhe përfundoi në mes të lumit nga disa dhjetra metra.

Policia ende nuk ka dalë në një përfundim për shkaqet, por besohet se një prej shoferëvë tentoi të shmangë gurët që rrëshqisnin nga shpati i malit dhe i preu rrugën mjetit që vinte përballë.

Operacioni i kërkim-shpëtimit ka qenë mjaft i vështirë për shkak të terrenit reshjeve të shiut dhe rrëshqitjes së gurëve.

Për të nxjerrë trupat deri në rrugën kryesore ku qëndronte ambulanca, forcat e policisë, zjarrfikësit dhe kalimtarë të shumtë krijuan një zinxhir njërezor.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit.

“Kthesat e Murrashit” janë një njollë e zezë në rrugët kombëtare të vendit ku aksidentet fatale kanë qenë të vazhdueshme, ndërsa rrëshqitja e gurëve nga mali në rrugë janë të përditshme gjatë muajve të dimrit.

Ditëlindja kthehet në mort/ Pas përplasjes makina përfundon