Nga Dubai me 60 mijë euro në çantë, egjiptianit i kapin pistoletë çakmak
Një shtetas egjiptian është arrestuar me pistoletë me çakmak ndërsa një shtetas sudanez me një shumë të konsiderueshme eurosh në aeroportin e RInasit.
Shtetasi nga Sudani por me leje qëndrimi në Shqipëri u ndalua në Rinas, ndërsa vinte nga Dubai.
Gjatë kontrollit në vijën e dytë në bagazhin e tij u gjetën 62 mijë euro të padeklaruara në doganë.
"Në bashkëpunim me autoritetet doganore në hyrje të Republikës së Shqipërisë, është kaluar për kontroll në vijën e dytë, çanta e shtetasit afrikan E. N., i cili ishte nisur nga Dubai. Gjatë kontrollit të çantës së këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 62000 euro, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar" informoi policia e Tiranes.
Në përfundim të veprimeve hetimore, shtetasi E. N., u procedua penalisht për veprën penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi”.
Ndërkohë një shtetas egjiptian me vendim dëbimi nga Shqipëria për kalim të paligjshëm të kufirit u ndalua pasi gjatë kontrollit të bagazhit iu gjet një pistoletë çakmak.
"Gjatë kontrollit, këtij shtetasi i është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë lodër, e futur në një këllëf lëkure" informoi policia.
Pistoleta ishte futur në një këllëf të zi. Shtetasi egjiptian do të udhëtonte drejt Gjermanisë dhe mbajta e këtij sendi mund të rrezikonte sigurinë e avionit. Ai është intervistuar edhe nga agjentet e antiterrorit për qëllimin e mbajtjes se pistoletës çakmak.
Po kështu kanë proceduar penalisht për veprën penale ”Braktisja e fëmijëve të mitur”, shtetasen F. A., 37 vjeçe, banuese në Tiranë. Procedimi për këtë shtetase filloi, pasi dyshohet se ka braktisur djalin e saj të mitur 16 vjeç, në Gjermani.