Berisha kritika Kim nga Rrësheni: Shqiptarët janë inteligjentë, kanë edhe probleme, "për një plesht djegin jorganin"

Ish-kryeministri, Sali Berisha, akuzoi nga Rrësheni diplomaten amerikane Yuri Kim se është shndërruar në një zëdhënëse të qeverisë.

Duke cituar raportet negative të DASH për krimin e organizuar dhe korrupsionin, Berisha tha se asnjë prej tyre nuk është transkiptuar nga përfaqësuesja e qeverisë amerikane në Tiranë.

Por Berisha i bëri të qartë Kim se shqiptarët janë inteligjentë, por shtoi me humor se janë po ata që për një plesht djegin jorganin.

Berisha: Shqipëria është në një agresion të krimit sa kurrë ndonjëherë më parë. DASH deklaron në raportet e tij se Shqipëria është qendër operacionale e organizatave kriminale të rajonit, Amerikës së Veriut, Amerikës së Jugut, Lindjes së Mesme dhe Europës. DASH deklaron se Shqipëria ka një korrupsion të papërmbajtur në të gjitha nivelet, agresiv. Si ka mundësi që këto deklarata nuk përkthehen në deklarata të përfaqësuesve të SHBA në Tiranë? Koha është të mendojmë.Ne na e kanë studiuar shumë tipin psikologjik, e kemi të studiuar nga kolosët më të mëdhenj të antropologjisë dhe psikologjisë. Çfarë thonë ata për shqiptarët? Inteligjentë. Kanë probleme të tjera pastaj që për një plesht djegin jorganin.

Zoti nuk i çon të gjitha të mirat në një vend, e kuptoni vetë, i shpërndan. A janë transkriptuar, a janë përkthyer këto konstatime serioze të qeverisë së SHBA në deklaratat e përfaqësuesve të kësaj qeverie në këto 8 vite në Shqipëri? Shqipëria është sot në vendin e dytë në botë për ryshfetin, Shqipëria vend anëtar i NATO-s bën gjithçka për të qenë zonë influence e Rusisë dhe Turqisë. Ballkani i Hapur është vendosje e hegjemonisë serbe në rajon, automatikisht influencë ruse në rajon. Europa vjen dhe deklaron se ky është i dëmshëm. DASH deklaron se është i dëmshëm kështu siç është. E keni dëgjuar ndonjë deklaratë të tillë ju nga përfaqësuesit e SHBA në Tiranë? Përkundrazi, lavdërim sikur të jenë përfaqësues të Edi Ramës dhe jo përfaqësues të qeverisë amerikane.

Kur qeveria është e lidhur me krimin, opozita duhet të ngrihet kundër saj, tha Berisha:

Berisha: Ish-kryetari i opozitës rrethohet nga të gjitha anët nga qeveria me banditë të armatosur me të njëjtat mjete me policinë. Ne na mbetet të ngrihemi në këmbë me forcë, të përmbysim këtë regjim. Na mbetet të betohemi me veten tonë, të lidhim besën se kurrë nuk do mund të pranojmë ne Lul brava apo 1958 për 5004 si dëshmi të pluralizimit. Ata që kërkojnë të na bindin ne janë këmbë e krye mafie e Edi Ramës, George Sorios, mafie ndërkombëtare. Asgjë nuk do mposhtë në vullnetin tonë, misionarët nuk mposhten kurrë dhe ne të tillë jemi.